Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, deklaroi se Ukraina do të bëhet me siguri anëtare e Bashkimit Evropian, duke i bërë thirrje Brukselit të përshpejtojë procesin e zgjerimit për të frenuar ndikimin dhe agresionin rus në rajon.
Në konferencën dyditore të kryetarëve të parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që po zhvillohet në Beograd, Stefanchuk akuzoi Rusinë se prej dekadash ka përdorur përçarjen, terrorin politik dhe shantazhin ekonomik ndaj vendeve fqinje. Ai theksoi se Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Serbia janë kombe të pavarura evropiane dhe se e ardhmja e tyre është brenda Bashkimit Evropian.
Ukraina hapi muajin e kaluar fazën e parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Kievit për t’u integruar në strukturat politike perëndimore, ndërsa vazhdon të përballet me agresionin rus.
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh skeptik për mundësinë e zgjerimit të shpejtë të Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme. Megjithatë, ai theksoi se vendet kandidate duhet të vazhdojnë reformat dhe të ecin përpara në rrugën evropiane, duke vlerësuar përfitimet që sjell procesi i integrimit si për vendet aspirante, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian./mxh
