Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane, pasi tre cisterna nafte u sulmuan në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar të naftës në botë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se janë goditur më shumë se 80 objektiva, përfshirë mbi 60 mjete të vogla detare të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si dhe pozicione për lëshimin e raketave dhe qendra komanduese. Sipas ushtrisë amerikane, operacioni synonte të pengonte sulmet ndaj anijeve tregtare dhe të garantonte sigurinë e lundrimit në ngushticë.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane goditën zonat e ishullit Qeshm, Bandar Abbas dhe Sirik, ku disa persona mbetën të plagosur nga shrapnelat. Teherani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj tre cisternave që shkaktuan reagimin amerikan.
Në një kundërpërgjigje, Garda Revolucionare Islamike deklaroi se ka lëshuar raketa dhe dronë ndaj 85 objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, duke përfshirë një seli të Marinës Amerikane dhe një bazë ajrore në Kuvajt.
Më herët, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit i cilësoi sulmet amerikane si shkelje të memorandumit të mirëkuptimit SHBA-Iran, të nënshkruar muajin e kaluar, duke paralajmëruar se Teherani do të ndërmarrë “masa vendimtare” për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Paralelisht, Departamenti i Thesarit i SHBA-së revokoi përjashtimin e përkohshëm nga sanksionet ndaj naftës iraniane, një masë që ishte pjesë e marrëveshjes së fundit mes dy vendeve. Ministria e Jashtme iraniane e dënoi vendimin, duke e cilësuar si provë të “keqbesimit dhe mosbesueshmërisë” së Uashingtonit.
Ndërkohë, Katari dhe Arabia Saudite akuzuan Iranin për sulme ndaj cisternave të tyre gjatë kalimit në ose pranë Ngushticës së Hormuzit. Doha deklaroi se e mban Teheranin “plotësisht përgjegjës” për goditjen e anijes Al-Rekayyat, ndërsa Riadi tha se tankeri saudit Wadyan u bë objektiv i sulmeve.
Irani i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se anijet që nuk koordinojnë lëvizjet e tyre me autoritetet iraniane ose ndërhyjnë në sistemet e gjurmimit rrezikojnë përplasje dhe pengojnë përpjekjet për garantimin e një tranziti të sigurt në ngushticë.
Në të njëjtën kohë, organizata UKMTO raportoi disa incidente të tjera në zonë, ku cisterna të ndryshme pësuan dëmtime pas goditjeve me predha të panjohura, por arritën të vazhdonin lundrimin drejt porteve të tyre.
Pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve, zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se negociatat me Iranin do të vazhdojnë me synimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Memorandumi i mirëkuptimit i arritur muajin e kaluar parashikon zgjatjen e armëpushimit dhe bashkëpunimin mes Iranit, Omanit dhe vendeve të Gjirit për administrimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit./ kb
