Last Updated on 08/07/2026 by Anisa
Një situatë e paprecedentë dhe e frikshme po zhvillohet në Kinën Jugore, ku përveç pasojave shkatërruese të motit ekstrem, banorët po përballen edhe me një rrezik tjetër madhor: qindra gjarpërinj të arratisur nga fermat e përmbytura.
Sipas raporteve të fundit nga mediat vendase, rreth 900 gjarpërinj kanë ikur nga një fermë mbarështimi në Hengzhou (Rajoni Autonom Guangxi Zhuang), pasi zona u godit nga reshje historike shiu dhe tornado të rralla.
Alarmi në zonat e banuara: Mes tyre ka edhe kobra
Gazeta kineze Xiaoxiang Morning Herald raporton se një fermë e madhe në fshatin Dengwei u përmbyt nga vërshimi i ujërave, duke detyruar autoritetet të lëshojnë një paralajmërim urgjent për komunitetin.
Banorët lokalë u shprehën për mediat se shumë ferma të vogla, të ndërtuara në zona të ulëta, u përmbytën brenda pak orësh. Kjo u ka mundësuar zvarranikëve të përhapen me shpejtësi nëpër zonat bujqësore dhe pranë shtëpive. Sipas dëshmive të fshatarëve, mes specieve të arratisura që mbarështoheshin për tregti, ka edhe gjarpërinj me helm vdekjeprurës, duke përfshirë kobra.
Rapportohen kafshimet e para, nisen ekipet e shpëtimit
Zyra e Menaxhimit të Emergjencave në Hengzhou konfirmoi se situata është kritike. Autoritetet pranuan se kanë marrë njoftime të shumta jo vetëm për dëmtimin e fermave, por edhe për raste të banorëve që janë kafshuar tashmë nga gjarpërinjtë nëpër përmbytje.
“Ekipet e emergjencës dhe shpëtimit janë dislokuar menjëherë në terren për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve,” njoftoi zyra menaxhuese, duke shtuar se detajet e plota do të bëhen të ditura në orët në vijim.
Rezervuarët shpërthejnë, fshatrat mbeten të izoluar
Ky incident horror vjen në një moment kur rajoni po përjeton njërën prej përmbytjeve më të rënda në histori. Agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua, raportoi se dy rezervuarë të mëdhenj, ai i Liulan-it dhe Yunbiao-s, pësuan çarje dhe mbingarkesë të hënën në mëngjes. Si pasojë, dhjetëra fshatra kanë mbetur tërësisht të rrethuar nga uji, duke vështirësuar si evakuimin e njerëzve, ashtu edhe kapjen e zvarranikëve të rrezikshëm.
Meteorologët kanë lëshuar një paralajmërim të fortë, duke theksuar se Kina po përballet me një seri sfidash “komplekse” klimatike këtë vit. Vendi pritet të goditet nga stuhi të tjera të fuqishme shiu, erëra destruktive dhe katastrofa gjeologjike si rrëshqitjet e dheut./ad
