Last Updated on 09/07/2026 by EL
Evropa Perëndimore regjistroi qershorin më të nxehtë që nga fillimi i matjeve, ndërsa kontinenti u godit nga një valë ekstreme të nxehti që, sipas shkencëtarëve, është pjesë e një tendence gjithnjë e më të fortë të nxitur nga ndryshimet klimatike. Sipas raportit të publikuar nga Shërbimi Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus, temperatura mesatare në Evropën Perëndimore arriti në 20.74 gradë Celsius gjatë muajit qershor, mbi 3 gradë më e lartë se mesatarja e periudhës 1991-2020, duke thyer rekordin e vendosur vetëm një vit më parë. Raporti publikohet në një kohë kur një tjetër valë të nxehti po përfshin Evropën, pas temperaturave rekord të qershorit dhe episodeve të pazakonta të vapës që u regjistruan që në muajin maj. Edhe në shkallë globale, qershori i vitit 2026 ishte muaji i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Sipas Copernicus, temperatura mesatare globale ishte 1.39 gradë Celsius mbi nivelet e epokës para-industriale (1850-1900), duke konfirmuar se planeti vazhdon të ngrohet për shkak të aktivitetit njerëzor. “Do të shohim gjithnjë e më shumë valë të nxehti në një botë më të ngrohtë. Ato do të jenë më intensive, do të zgjasin më shumë dhe do të prekin zona gjithnjë e më të mëdha gjeografike”, deklaroi Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikimet Afatmesme të Motit (ECMWF), institucioni që operon Copernicus.
“Kupola e nxehtësisë” përfshiu Evropën
Shkencëtarët shpjegojnë se temperaturat ekstreme të qershorit u shkaktuan nga një fenomen i njohur si “kupola e nxehtësisë”, një sistem i fuqishëm me presion të lartë që bllokon ajrin e nxehtë pranë sipërfaqes së Tokës, duke funksionuar si kapaku i një tenxhereje në valë. Ky fenomen çoi në rekorde historike temperaturash në disa vende evropiane dhe u shoqërua me lagështi shumë të lartë, duke bërë që temperaturat të mbeteshin të larta edhe gjatë natës. Si pasojë, shumë zona përjetuan disa net tropikale radhazi, pa mundësi freskimi. Sipas një analize të AFP-së, mbi 410 milionë evropianë u ekspozuan ndaj temperaturave mbi 35 gradë Celsius gjatë periudhës 15-30 qershor. Copernicus thekson se kjo valë të nxehti pati pasoja të rënda për shëndetin publik dhe lidhet me mijëra viktima, kryesisht në Francë, Spanjë dhe Belgjikë. Një raport i organizatës Global Witness vlerëson se afro 300 milionë njerëz, mes tyre rreth 100 milionë fëmijë dhe të moshuar, mund të jenë ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes me ozon gjatë periudhës së temperaturave ekstreme.
Edhe Mesdheu po ngrohet me ritme rekord
Temperatura rekord u regjistruan edhe në ujërat e Detit Mesdhe, i cili përjetoi valën më të fortë detare të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë. Edhe brigjet atlantike të Evropës u prekën nga temperatura të pazakonta, duke rritur rrezikun për ekosistemet detare. Sipas ekspertëve, deti i ngrohtë pengon freskimin gjatë natës, pasi redukton erën e freskët detare dhe mban temperaturat e ajrit të larta edhe pas perëndimit të diellit. Ndërkohë, mungesa e reshjeve ka shtuar rrezikun e thatësirës në Evropën Lindore dhe ka favorizuar përhapjen e zjarreve në Gadishullin Iberik dhe në jug të Francës.
Shkencëtarët: Pa uljen e emetimeve, valët e të nxehtit do të përkeqësohen
Rrjeti ndërkombëtar i shkencëtarëve World Weather Attribution ka vlerësuar se vala e të nxehtit e qershorit ishte praktikisht e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Sipas tyre, një ngjarje e ngjashme në vitin 2003 do të kishte qenë rreth 2 gradë Celsius më e ftohtë. Ekspertët paralajmërojnë se Evropa duhet të investojë në masa përshtatëse për t’u përballur me realitetin e ri klimatik. Shumë ndërtesa historike dhe infrastruktura evropiane janë ndërtuar për kushte klimatike që nuk ekzistojnë më. Shkencëtarët theksojnë se zgjidhja afatgjatë mbetet ulja sa më e shpejtë e emetimeve të gazeve serrë nga djegia e lëndëve fosile, pasi, sipas tyre, çdo rritje e emetimeve do t’i bëjë valët e të nxehtit edhe më të shpeshta dhe më shkatërruese.
