Last Updated on 09/07/2026 by EL
Janë publikuar fotot e dhuratës së pazakontë që presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, u dhuroi liderëve të NATO-s që morën pjesë në samitin e Aleancës, mes tyre edhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Sipas mediave turke, bëhet fjalë për një revolver të personalizuar me emrin e secilit lider të gdhendur mbi të, i shoqëruar me një kuti me plumba të vërtetë dhe një komplet të posaçëm për pastrimin e armës.
Sipas zyrtarëve evropianë të cituar nga Politico, dhuratat iu dorëzuan të mërkurën nga presidenti turk Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Një zyrtar i Këshillit Evropian deklaroi se ekipi i sigurisë së Costas e mori revolverin për të kryer kontrollet e nevojshme. “Ne do të ndjekim procedurat belge për transportin e saj dhe më pas do të ruhet në përputhje me kërkesat e sigurisë të vendosura nga Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit”, tha ai.
Për Ursula von der Leyen, një zëdhënëse tha se Presidentja e Komisionit e falënderoi Erdoganin për gjestin. “Arma do të transportohet dhe ruhet në mënyrë të sigurt. Pasi të çaktivizohet, qëllimi i Presidentes është ta dhurojë atë në një muze ushtarak”, theksoi ajo.
Edhe pse këto konsiderohen armë simbolike, dhuratat pritet të bien ndesh me rregullat e rrepta të Bashkimit Evropian për vlerën e dhuratave që zyrtarët mund të pranojnë, sipas një prej zyrtarëve evropianë.
Për këtë arsye, konsiderohet e pamundur që marrësit t’i mbajnë ato si sende personale.
Ndërkohë, liderë të tjerë evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministrin holandez Dick Schoof, kanë deklaruar publikisht se do t’i lënë armët në Turqi për t’u çaktivizuar fillimisht dhe më pas për t’u transportuar në vendet e tyre.




Foto: Reut
