NATO ka kaluar një tjetër përplasje me presidentin amerikan, Donald Trump, por vendet evropiane të aleancës presin që marrëdhëniet me Uashingtonin të mbeten të paqëndrueshme edhe në të ardhmen, raportoi “Reuters”.
Samiti i NATO-s në Ankara përfundoi me një atmosferë pozitive, pasi Trump rikonfirmoi mbështetjen për aleancën, përkrahu deklaratën që ripërsëriti angazhimin ndaj Nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen e përbashkët dhe mbështeti furnizimin e Ukrainës, me teknologji për prodhimin e raketave për sistemet “Patriot”.
Ky zhvillim u konsiderua lehtësim pas disa muajsh tensionesh, të shkaktuara nga përplasjet e Trump me aleatët evropianë, përfshirë kërcënimet për marrjen e Groenlandës nga Danimarka dhe debatet rreth luftës në Iran.
Megjithatë, liderët evropianë mbeten të shqetësuar për të ardhmen e marrëdhënieve me SHBA-në.
Ata e konsiderojnë praninë amerikane thelbësore për sigurinë e Evropës, veçanërisht përballë kërcënimit të Rusisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se SHBA-ja mbetet “lojtarja dominuese” në aleancë, duke theksuar se fuqia ushtarake amerikane është e krahasueshme me atë të të gjitha vendeve të tjera të NATO-s së bashku.
Por disa ekspertë paralajmërojnë se dëmet në besimin mes aleatëve tashmë janë shkaktuar.
Sipas tyre, edhe nëse Trump tregon një qasje më miqësore, pasiguria e krijuar ka ndikuar në perceptimin e aleancës.
Një nga temat kryesore të samitit ishte rritja e shpenzimeve ushtarake nga vendet evropiane.
NATO u përpoq t’i tregojë Trump se aleatët kanë rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe se Evropa po merr më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
Gjatë samitit u njoftuan gjithashtu marrëveshje të reja në industrinë e mbrojtjes me vlerë mbi 50 miliardë dollarë, përfshirë blerje të dronëve, avionëve të zbulimit dhe mjeteve të transportit ushtarak.
Megjithatë, pas samitit mbetet pasiguria për angazhimin afatgjatë të SHBA-së në Evropë.
Pentagoni ka nisur një rishikim të pranisë së rreth 80 mijë trupave amerikane në kontinent.
Për të shmangur përplasjet e vazhdueshme politike, disa vende aleate po mendojnë edhe reduktimin e takimeve të nivelit të lartë të NATO-s./mxh
