Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar mes debatit për koncertin e Kanye West (Ye), duke argumentuar se organizimi i eventeve të kësaj përmase nuk duhet parë si një shpenzim, por si një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, turizëm dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Duke sjellë në vëmendje shembuj nga Los Angeles, Stambolli dhe Madridi, Gonxhja thekson se përfitimet ekonomike të një koncerti shkojnë shumë përtej shitjes së biletave, ndërsa shton se suksesi i koncertit të 11 korrikut në Tiranë mund ta kthejë kryeqytetin në një destinacion të rëndësishëm për eventet ndërkombëtare.
Ai ka hedhur poshtë edhe pretendimet për koston e stadiumit provizor dhe ka paralajmëruar se anulimi i eventit do të sillte humbje ekonomike dhe pasoja afatgjata për imazhin e Shqipërisë.
POSTIMI
Në ekonominë moderne të eventeve, suksesi i një koncerti nuk matet vetëm me të ardhurat nga biletat, por me ndikimin që krijon në të gjithë ekonominë e qytetit/vendit pritës.
Shembujt e fundit e tregojnë qartë këtë ndikim dhe trend transformues:
Los Angeles – Dy koncertet e Ye në SoFi Stadium gjeneruan rreth 33 milionë dollarë të ardhura direkte nga biletat, duke u renditur ndër eventet me fitimin më të lartë të zhvilluara ndonjëherë. Përfitimet për qytetin shkuan shumë përtej stadiumit, në rreth 90 milionë dollarë duke aktivizuar hotelerinë, transportin, restorantet dhe ekonominë lokale.
Stambolli – Koncerti i Ye në Atatürk Olympic Stadium mblodhi 118,000 spektatorë, një rekord si pjesëmarrje që gjeneroi rreth 24 milionë euro të ardhura si event, me ndikim ekonomik që u vlerësua në deri në 100 milionë euro, falë fluksit të turistëve, netëve të qëndrimit, konsumit në bizneset lokale dhe shërbimeve të lidhura me eventin. (rasti i Turqisë vlen të theksohet se edhe pse eventi rezultoi me fitim u financua me fond publik 4.5 milionë euro, si një politikë mbështetjeje)
Madridi – Për koncertin e vetëm të Ye në Spanjë pritet një ndikim ekonomik deri në 49 milionë euro, mbi 3,000 vende pune të përkohshme, rreth 68,000 spektatorë, ku më shumë se 60% pritet të jenë vizitorë ndërkombëtarë. Edhe këtu, pesha kryesore e ndikimit ekonomik nuk vjen vetëm nga biletat, por nga turizmi, hoteleria, qeratë, gastronomia, transporti dhe tregtia.
Tirana po hyn për herë të parë në këtë hartë të kryeqyteteve që presin evente të këtij niveli. Koncerti i Ye (Kanye West) më 11 korrik, në Eagle Stadium, nuk është thjesht një show apo aktivitet muzikor. Ai përfaqëson një test të rëndësishëm e strategjik për kapacitetin organizativ të Shqipërisë dhe një mundësi reale për të konsoliduar Tiranën si një mundësi dhe si një destinacion të eventeve ndërkombëtare e të tilla përmasave.
Përvoja ndërkombëtare tregon se ekonomia e një koncerti nuk përfundon te bileta. Çdo vizitor që udhëton për një event konsumon shërbime akomodimi, ushqimi, transporti, argëtimi dhe viziton atraksione turistike.
Çdo euro e shpenzuar qarkullon në ekonomi përmes dhjetëra bizneseve dhe krijon vlerë të shtuar për komunitetin lokal. Në Eagle Stadium, Kashar, janë angazhuar në një hark 2 mujor rreth 3,500 punonjës, me profesionistë e ekipe teknike, ndërsa 24 orë para eventit Tirana është e tëra e rezervuar sa i takon hoteleve dhe apartamenteve të pasqyruara në platformat e ndryshme online! Miliona euro i rikthehen buxhetit qendror e vendor nga taksat direkte, duke e bërë çdo financim publik në këtë industri një investim me leverdi por edhe duke rritur qarkullimin dhe të ardhurat për tërë subjektet lokale, përtej përfitimeve të tjera afatgjata.
Nëse Tirana arrin të organizojë me sukses këtë event, përfitimi më i madh nuk do të jetë vetëm ai social, argëtues apo ekonomik i një nate. Do të jetë besueshmëria ndërkombëtare që fiton kryeqyteti dhe Shqipëria. Industria kreative, eventet, turizmi eksperiencial, janë krah për krah një dinamo gjeneruese për mirëqenien, rritjen e qendrueshme ekonomike dhe arsyeja pse sot qytete si Madridi, Stambolli, Londra, Los Angeles, dhe shumë metropole janë ndalesa të përhershme të turneve botërore.
Një koncert mund të zgjasë disa orë, por ndikimi i tij në ekonomi, turizëm dhe imazhin e një vendi mund të zgjasë për shumë vite, sidomos në rastin e Shqipërisë që sapo po hyn në bursën globale të ndërmarrjeve të tilla të jashtëzakonshme e unikale.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që ngjarje të tilla të mos shihen përmes prizmit të debatit politik. Në mbarë botën, eventet ndërkombëtare vlerësohen mbi bazën e ndikimit që sjellin për qytetin dhe ekonominë: sa turistë tërheqin, sa biznese përfitojnë, sa vende pune krijohen dhe çfarë reputacioni ndërkombëtar ndërtojnë për qytetin, vendin, aftësinë dhe destinacionin.
Artistët, koncertet dhe aktivitetet kulturore vijnë e ikin, ndërsa përfitimet për ekonominë, turizmin dhe markën e vendit mbeten. Prandaj, suksesi i një eventi të tillë nuk është sukses i një individi apo i një force politike, por një mundësi për Shqipërinë që të dëshmojë se është e aftë të presë me standarde ndërkombëtare ngjarje të përmasave globale dhe të konsolidojë vendin e saj në hartën europiane të eventeve.
FAKTE SHTESË:
Ngritja e strukturës provizore (Eagle Stadium) ka një kosto prej rreth 2.2 milionë euro dhe jo 50 a 60 milionë euro siç është dizinformuar publiku!
Fondi i dhënë nga qeveria shqiptare është alokuar përmes programit buxhetor Turizëm dhe nuk ka lidhje me fondet për artin, kulturën, sportin, dhe ka dalë nga Fondi Rezervë e jo nga fonde emergjencash apo fonde të planifikuara për sektorë të tjerë!
Dëmi i pritshëm nga anullimi i eventit në fazën aktuale do të llogaritej në rreth 11 milionë euro shpenzime të pakthyeshme dhe dështim me kosto e pasoja të rënda afatgjata në imazh kombëtar e besim, zhgënjim rajonal për dhjetëra mijë vendas e të huaj që do të humbnin këtë eksperiencë, por dhe dëm direkt i konsiderueshëm për rezervimet e anulluara, pagesat e pakthyeshme dhe fitimin e munguar./kb
