Më 10 korrik 1976, një shpërthim në uzinën kimike Icmesa në Meda, pranë Sevesos në Itali, shkaktoi një nga katastrofat më të rënda mjedisore të shekullit XX. Një re toksike e ngarkuar me dioksinën TCDD u përhap mbi zonat e banuara, duke ekspozuar mijëra banorë ndaj një prej substancave më të rrezikshme të njohura. Pesë dekada më vonë, tragjedia e Sevesos konsiderohet pika e kthesës që ndryshoi ligjet evropiane për sigurinë industriale.
Gjithçka ndodhi në orën 12:37 të mesditës, kur nga reaktori i fabrikës u dëgjua një fishkëllimë e fortë, e shkaktuar nga dështimi i valvulës së sigurisë. Menjëherë më pas, në ajër u përhap një erë e rëndë dhe irrituese, ndërsa një re e padukshme toksike mbuloi zonën.
Megjithëse teknikët e kompanisë e kuptuan brenda pak ditësh se bëhej fjalë për rrjedhje të dioksinës, autoritetet italiane u njoftuan zyrtarisht vetëm më 17 korrik, shtatë ditë pas aksidentit. Gjatë kësaj kohe, gjethet e pemëve nisën të dëmtoheshin, mijëra kafshë shtëpiake dhe bagëti ngordhën, ndërsa fëmijët filluan të shfaqnin klorakne, një sëmundje e rëndë e lëkurës e lidhur me ekspozimin ndaj dioksinës. Vite më vonë, Jörg Sambeth, ish-drejtor teknik i grupit Givaudan dhe një nga drejtuesit e dënuar nga drejtësia italiane, deklaroi se aksidenti mund të ishte shmangur. Sipas tij, kompania kishte kursyer në sistemet e sigurisë dhe në trajnimin e personelit, ndërsa kishte injoruar aksidente të ngjashme të ndodhura më herët në Gjermani. Ai pranoi gjithashtu se kompania ndoqi një “strategji heshtjeje”, duke mos informuar menjëherë autoritetet. Pas konfirmimit të ndotjes, territori prej rreth 1.800 hektarësh u nda në tre zona sipas nivelit të kontaminimit. Zona A, më e ndotura, u evakuua plotësisht. Më 26 korrik, 735 banorë u detyruan të linin përgjithmonë shtëpitë e tyre. Banesat u shembën bashkë me të gjitha sendet personale, përfshirë mobiliet, fotografitë familjare dhe kujtimet e një jete.
Procesi i dekontaminimit zgjati disa vite. Midis viteve 1981 dhe 1984 u ndërtuan depo të posaçme ku u izoluan rreth 280 mijë metra kub materialesh të kontaminuara. Në vendin ku dikur ndodhej zona më e rrezikshme, sot shtrihet “Bosco delle Querce”, një park publik i ngritur si simbol i rilindjes dhe kujtesës. Studimet e kryera gjatë dekadave të mëvonshme evidentuan një rritje të rasteve të disa llojeve të kancerit, përfshirë tumoret e pankreasit dhe melanomën te gratë. Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se dioksina ndikoi në sistemin hormonal dhe riprodhues. Për disa vite pas katastrofës, në familjet e ekspozuara u regjistrua një numër dukshëm më i lartë lindjesh të vajzave krahasuar me djemtë, një fenomen që konsiderohet ende unik.
Katastrofa e Sevesos nxori në pah mangësitë e legjislacionit të kohës për kontrollin e rreziqeve industriale. Si pasojë, në vitin 1982, Këshilli Evropian miratoi të ashtuquajturën “Direktiva Seveso”, e cila vendosi rregulla të reja për parandalimin e aksidenteve industriale, detyrimin për raporte të detajuara sigurie dhe plane emergjence për mbrojtjen e popullsisë. Edhe sot, 50 vjet më vonë, Seveso mbetet një nga shembujt më të fortë se si një katastrofë industriale mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si shtetet mbrojnë njerëzit dhe mjedisin.
