Italia po intensifikon përpjekjet diplomatike për ta mbajtur zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në krye të axhendës evropiane.
Në samitin e zhvilluar në Romë, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të Italisë, Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, u theksua se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm një objektiv politik, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.
Sipas një analize të publikuar nga e përditshmja italiane Il Sole 24 Ore, Roma po ushtron presion që procesi i anëtarësimit të mos pengohet nga burokracitë apo tensionet politike, duke argumentuar se zhvillimet e fundit gjeopolitike, të ndikuara nga lufta në Ukrainë dhe sfidat e reja të sigurisë në kontinent, e bëjnë zgjerimin e BE-së më urgjent se kurrë.
Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohen si vendet që kanë shënuar përparimin më të madh në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova vijojnë të përballen me sfida politike dhe institucionale që ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian.
Ndërkohë, një zyrtare e Bashkimit Evropian bëri të ditur se më 14 korrik, në kuadër të mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Përgjithshme, do të zhvillohen disa Konferenca Ndërqeveritare me vendet kandidate për anëtarësim në BE. Sipas saj, presidenca irlandeze synon të organizojë konferenca me Ukrainën, Malin e Zi, Moldavinë dhe Shqipërinë.
Për Ukrainën dhe Moldavinë pritet të hapet një grup i ri kapitujsh negociues (cluster), ndërsa për Malin e Zi dhe Shqipërinë objektivi është mbyllja e disa kapitujve të negociatave, duke shënuar një tjetër hap përpara në procesin e anëtarësimit.
Sa i përket Serbisë, zyrtarja evropiane sqaroi se në diskutimet e zhvilluara në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare (Coreper) nuk u arrit konsensus për hapjen e tre kapitujve në shqyrtim. Për këtë arsye, aktualisht nuk është planifikuar një Konferencë Ndërqeveritare me Serbinë, ndërsa diskutimet pritet të vijojnë në javët e ardhshme./mxh
