Në një kohë kur shumë njerëz janë lodhur nga aplikacionet e takimeve online, disa po rikthehen te mënyrat më tradicionale për të njohur persona të rinj: përmes takimeve spontane në jetën e përditshme. Një ide e veçantë po përhapet në disa supermarkete në Finlandë, ku klientët beqarë mund të përdorin një shportë rozë për të treguar se janë të hapur për biseda dhe njohje të reja.
Iniciativa quhet “Sinkkukorit”, një term finlandez që do të thotë “shporta për beqarë”. Ideja është e thjeshtë: një person që zgjedh një shportë rozë gjatë blerjeve jep një sinjal të qartë se mund të jetë i gatshëm të komunikojë me persona të tjerë beqarë, që ndodhen në supermarket.
Rregullat janë të pakta, por respektohen me kujdes. Vetëm personat që mbajnë një shportë rozë mund t’i afrohen njëri-tjetrit për të nisur një bisedë. Një klient me shportë të zakonshme, të zezë ose gri, nuk duhet të ndërhyjë te dikush që ka zgjedhur shportën rozë, pasi kjo shenjë tregon gatishmërinë për njohje.
Fenomeni ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, sidomos pas videos së publikuar nga influencerja Kashivi Kashingungu, e cila tregoi shportat rozë në hyrje të një supermarketi dhe shpjegoi mënyrën sesi funksionon kjo ide. Videoja u shpërnda dhe nxiti diskutime për mënyra të reja për të krijuar kontakte jashtë botës virtuale.
Kjo tendencë kujton edhe histori të mëparshme urbane në vende të tjera, si rasti i ananasit në karrocën e blerjeve në disa supermarkete të Milanos, ku besohej se ishte një sinjal për beqarët që kërkonin njohje.
Në Finlandë, megjithatë, ideja është bërë më e organizuar: një simbol i vogël me ngjyrë rozë shndërrohet në një mënyrë të thjeshtë për të thyer akullin dhe për të krijuar mundësi për takime të reja, pa presionin dhe lodhjen që shumë njerëz ndiejnë nga aplikacionet moderne të njohjeve./kb
