Madonna ka hyrë në histori falë albumit të saj më të ri, “Confessions on a Dance Floor: Part II”.
Albumi i 15-të në studio i superyllit të muzikës pop – vazhdim i albumit të saj të suksesshëm të vitit 2005 me të njëjtin emër – debutoi në vendin e parë të klasifikimit amerikan Billboard 200, pas publikimit më 3 korrik.
Ky është albumi i saj i dhjetë që arrin vendin e parë në këtë klasifikim, duke barazuar rekordin e arritur vetëm nga The Beatles. Po ashtu, kjo arritje e bën Madonnën, 67 vjeçe, artisten e parë femër që renditet me një album në vendin e parë në pesë dekada të ndryshme.
Në një postim në Instagram, Madonna shprehu mirënjohjen për fansat e saj:
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë sa mirënjohëse dhe e befasuar jam nga pritja e jashtëzakonshme që ka marrë Confessions on a Dance Floor: Part II.
“Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e këtij projekti dhe që ndihmuan ta bëjmë këtë ëndërr realitet. Sidomos faleminderit fansave të mi. Mbështetja dhe energjia pozitive kanë qenë të pabesueshme. Ende nuk më besohet”.
“Nuk mund ta besoj që është numër një në mbarë botën. Ëndrra ime ishte t’i bëja njerëzit të kërcenin këtë verë dhe t’u sillja gëzim. Ëndrrat bëhen realitet. Faleminderit dhe ju dua!”.
Madonna arriti të lërë pas rivalet e saj më të reja në muzikën pop falë shitjeve të larta fizike të albumit. Gjatë javës së parë, projekti shiti 114 mijë kopje fizike, ndërsa regjistroi edhe 19 mijë njësi të barasvlershme nga transmetimet në platformat streaming.
Këngëtarja kishte pranuar më parë se nuk priste një sukses të tillë në toplista me projektin e saj më të fundit, ashtu siç nuk e kishte parashikuar suksesin e albumit origjinal Confessions on a Dance Floor në vitin 2005.
Duke folur për Graham Norton në një program special të BBC-së, të transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë muajit qershor, ajo tha:
“Nuk kam pritshmëri. Kam shumë vite në këtë profesion. Shpresoj gjithmonë për më të mirën, por përgatitem edhe për më të keqen.
“Me albumin e parë Confessions ishte diçka e jashtëzakonshme, sepse nuk e kishim idenë se sa i mirë ishte. Jo, po bëj shaka. Ishte një sukses i madh dhe më erdhi si surprizë”.
“Jam e emocionuar që njerëzit do ta dëgjojnë të gjithë albumin, sepse ai tregon një histori të plotë. Është një udhëtim i tërë”.
Përveç shitjeve të fuqishme në javën e parë, “Confessions on a Dance Floor: Part II” ka marrë edhe vlerësime shumë pozitive nga kritikët muzikorë.
Sipas platformave që përmbledhin vlerësimet e kritikëve, si Metacritic, albumi është tashmë një nga publikimet pop më të vlerësuara të vitit 2026./ET

