Last Updated on 15/07/2026 by EL
Një djalë 14-vjeçar është akuzuar për përgatitje të akteve terroriste, pasi dyshohet se planifikonte të sulmonte dy xhami në jug të Londrës, njoftoi të mërkurën Policia Metropolitane.
Adoleshenti u arrestua më 9 korrik në një banesë në jug të Londrës, fillimisht nën dyshimin për dëmtim kriminal të një automjeti, në lidhje me një incident të ndodhur më 20 qershor në Sutton.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, oficerët gjetën materiale të cilësuara si shqetësuese, çka çoi në arrestimin e tij edhe sipas Aktit të Terrorizmit të vitit 2006, nën dyshimin për përgatitje të akteve terroriste të lidhura me ideologjinë ekstremiste të krahut të djathtë.
Pas hetimeve dhe konsultimeve me Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës, ndaj 14-vjeçarit u ngritën akuza për përgatitje të akteve terroriste, si dhe për dëmtim kriminal me motiv racor në lidhje me thyerjen e xhamit të një automjeti.
Sipas policisë, vepra e dyshuar lidhet me një plan për të sulmuar dy xhami në zonën e Sutton. Autoritetet kanë kontaktuar drejtuesit e objekteve të kultit dhe po u ofrojnë mbështetje, këshilla për sigurinë dhe masa mbrojtëse. Policia theksoi se nuk ka kërcënim më të gjerë për publikun dhe se nuk po kërkohen persona të tjerë në lidhje me rastin.
“Kjo është një akuzë shumë serioze për terrorizëm ndaj një djali të ri dhe ka të ngjarë të jetë shumë shqetësuese për publikun dhe komunitetin lokal”, deklaroi komandantja Helen Flanagan, drejtuese e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër.
Ajo shtoi se autoritetet po bashkëpunojnë me komunitetin mysliman për të ofruar mbështetje, këshilla dhe siguri pas zbulimit të planit të dyshuar./et