Nivelet e ujit në lumin Danub, në territorin e Rumanisë, kanë rënë në pikën më të ulët që nga viti 1996, duke shkaktuar probleme për bujqësinë, transportin lumor dhe turizmin.
Sipas autoriteteve rumune, prurja e ujit në pikën hyrëse të Danubit në Rumani zbriti në rreth 1 mijë e 700 metra kub në sekondë, shumë më poshtë se mesatarja e muajit korrik prej rreth 4 mijë e 700 metrash kub në sekondë.
Thatësira dhe temperaturat e larta kanë nxjerrë në sipërfaqe brigje të gjera rëre, duke detyruar pezullimin e disa linjave të trageteve, ndërsa maunet që transportojnë drithëra kanë mbetur të bllokuara në disa segmente të lumit.
Rumania është një nga eksportueset më të mëdha të drithërave në Bashkimin Evropian. Për shkak të mungesës së ujit, autoritetet kanë vendosur kufizime për përdorimin e ujit në vaditjen e tokave bujqësore në juglindje të vendit, ndërsa rezervuarët po menaxhohen me kujdes për të garantuar furnizimin me ujë për ftohjen e dy reaktorëve të centralit bërthamor.
Edhe pjesë të tjera të Evropës po përballen me valë të gjata të të nxehtit dhe thatësirë, të cilat kanë ulur ndjeshëm nivelet e ujërave në lumenj. Sipas parashikimeve, reshjet e dendura të shiut në disa rajone të Rumanisë pritet të sjellin një rritje graduale të nivelit të Danubit gjatë ditëve në vijim./mxh
