Last Updated on 20/07/2026 by EL
Banorët e fshatit Memëlisht ngrenë shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm, duke deklaruar se furnizohen vetëm për një ose dy orë në mëngjes dhe po aq në mbrëmje, ndërsa pjesën tjetër të ditës mbeten pa ujë.
Sipas tyre, situata është përkeqësuar pas investimeve në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa premtimi për furnizim 24 orë nuk është realizuar. Banorët thonë se detyrohen të mbushin kova dhe bidona sa herë vjen uji, për ta përdorur më pas për gatim, higjienë dhe nevoja të tjera të përditshme. Disa prej tyre shprehen se janë të detyruar të blejnë ujë të pijshëm, ndërsa të tjerë përdorin depozita ose burime natyrore pranë zonës.
Ata ankohen gjithashtu për cilësinë e punimeve në rrjetin e ujësjellësit, duke pretenduar se zgjerimi i rrjetit është bërë pa shtuar burimet e furnizimit, çka sipas tyre ka sjellë mungesën e ujit. Banorët thonë se rrugët janë dëmtuar gjatë punimeve dhe tubacionet kanë pësuar defekte të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, drejtori i Ujësjellësit pranon se në Memëlisht ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, por kundërshton pretendimet e banorëve për orarin e furnizimit. Sipas tij, fshati furnizohet mesatarisht për rreth tetë orë në ditë dhe jo katër, siç pretendojnë banorët.
Ai shpjegon se shkaku kryesor i situatës është shterimi i burimit ekzistues, i ndikuar edhe nga përdorimi i ujit të pijshëm për vaditjen e tokave bujqësore. Sipas drejtorit, kjo ka ulur ndjeshëm sasinë e ujit në dispozicion për konsum familjar.
Për zgjidhjen e problemit, ai bën të ditur se brenda tre javësh pritet të përfundojë shpimi i dy burimeve të reja, investim që synon të sigurojë furnizim të plotë me ujë ./et
