Last Updated on 24/07/2026 by Monika
Një konflikt i rëndë, i cili dyshohet se ka përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit, është regjistruar në zonën e Shkallnurit në Durrës. Në ngjarje dyshohet se janë përfshirë Denis Tafili, kushëriri i Elvis Docit, i njohur si “Visi i Pojës”, dhe një punonjës policie.
Sipas të dhënave paraprake, Denis Tafili, i shpallur në kërkim nga SPAK, është konfliktuar me Edison Gjuzin. Dyshohet se përplasja ka nisur fillimisht mes Gjuzit dhe punonjësit të policisë, ndërsa më pas në vendngjarje ka mbërritur Tafili.
Më tej, sipas informacioneve paraprake, Tafili dyshohet se e ka goditur Gjuzin me qytën e pistoletës, ndërsa situata ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Deri në këto momente mbetet e paqartë se nga kush janë kryer të shtënat, nëse nga Denis Tafili apo nga punonjësi i policisë.
Denis Tafili është një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes për organizatën kriminale “Troplini”, ku ai akuzohet për trafik kokaine dhe pastrim parash.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje edhe për faktin se një person i kërkuar nga SPAK dyshohet se ka qenë i lirë dhe është përfshirë në një konflikt të armatosur.
Deri tani, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës nuk ka publikuar një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, personat e përfshirë dhe nëse është bërë i mundur arrestimi i Denis Tafilit.
Hetimet vijojnë dhe priten detaje të reja për zbardhjen e plotë të konfliktit./mxh
