Në vijimësi të punës së përditshme gjatë sezonit turistik, Policia Kufitare e Sarandës organizoi ditën e martë dhe vijon një plan operacional për kontrollin e paligjshmërisë tek mjetet lundruese.
Në qendër të operacionit është kontrolli i mjeteve lundruese turistike, jet ski-ve dhe skafeve, që përfshin hapësirën detare nga Qeparoi deri në Katoet.
Gjatë kontrolleve për paligjshmëri, deri tani janë vendosur 20 gjoba me shifra të ndryshme, sipas shkeljeve të evidentuara, si: mosmbajtja e dokumentacionit të mjetit në bord, mospajisja e udhëtarëve me jelek shpëtimi, mungesa e mjeteve të ndihmës së shpejtë etj.
Në këtë operacion kontrolli marrin pjesë 7 mjete lundruese, jet ski dhe skafe të policisë, si dhe 32 forca policie shtesë, përveç atyre të shërbimit normal.
Në rajonin nga Qeparoi deri në Katoet, që kontrollohet nga Policia Kufitare Sarandë, numërohen rreth 350 mjete lundruese turistike aktive në det gjatë këtij sezoni./ad
