Prej tre vitesh, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk kishin pasur kontakte të drejtpërdrejta. Megjithatë, sipas raportimeve, shërbimet sekrete të dy vendeve kanë bashkëpunuar ngushtë prej muajsh.
Shtrëngimi i duarve mes dy liderëve në Uashington, para ceremonisë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham, u pa si një sinjal i afrimit mes dy aleatëve dhe i ndërthurjes së dy konflikteve më të mëdha të dekadës: luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve, sulmi i Ukrainës ndaj dy anijeve iraniane në Detin Kaspik fundjavën e kaluar u mbështet nga informacione të siguruara nga inteligjenca izraelite. Objektivi ishin ngarkesa me armë që dyshohej se po transportoheshin drejt Rusisë.
Burimet theksojnë se Izraeli kishte ndërmarrë një operacion të ngjashëm që në muajin mars, kur avionët luftarakë izraelitë goditën bazën detare iraniane në Bandar Anzali dhe shkatërruan disa anije transporti në Detin Kaspik.
Ky zhvillim ka shtuar shqetësimet për zgjerimin e konfliktit. Menjëherë pas sulmit, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se sulmi “nuk mund të mbetet pa përgjigje”, duke lënë të kuptohet se paralajmërimi i drejtohej jo vetëm Kievit, por edhe Tel Avivit.
Sipas një raporti të The New York Times, Irani ishte pranë marrjes së një vendimi për të goditur me raketë balistike një port ukrainas në Detin e Zi, por përfundimisht diplomatët iranianë arritën të shmangnin përshkallëzimin.
Analisti iranian Mehdi Rahmati, i konsideruar pranë qarqeve drejtuese në Teheran, argumentoi se hapja e një fronti të ri kundër Ukrainës nuk do t’i sillte përfitime Iranit, duke kujtuar se Kievi ka përvojë të konsiderueshme luftarake dhe mbështetje logjistike nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.
Në fund, kriza u zbut pas një bisede telefonike mes Abbas Araghchi dhe homologut të tij ukrainas, Andriy Sybiha, gjatë së cilës Ukraina e cilësoi sulmin si një “goditje të paqëllimshme”, shpjegim që Teherani duket se e pranoi.
Megjithatë, rreziku i përshkallëzimit mbetet i lartë. Në boshtin Iran-Rusi-Kinë, Pekini thuhet se po përgatitet t’i furnizojë Iranit, brenda pak javësh, rreth 400 raketa kundërajrore me rreze të shkurtër veprimi të tipeve QW-12 dhe FN-16, si edhe sisteme portative të mbrojtjes ajrore.
Edhe pse Kina e mohon këtë informacion, tre burime të cituara nga Reuters pretendojnë se kontrata, me vlerë rreth 60–70 milionë dollarë, do të realizohet përmes kompanisë ndërmjetëse Zhongqing Baoshang International Investment, me seli në Hong Kong.
Ndërkohë, Rusia po forcon gjithashtu furnizimet ushtarake për Iranin përmes Detit Kaspik, si një formë kthimi të mbështetjes për dronët Shahed që Teherani i ka dërguar Moskës që prej vitit 2022. Sipas raportimeve, Irani ka humbur rreth 60% të arsenalit të tij në muajt e fundit dhe po përpiqet të riarmatoset sa më shpejt.
Deti Kaspik po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi strategjike. Përveç armëve, përmes kësaj rruge transportohen naftë, grurë, misër, ushqim për kafshë dhe vaj luledielli. Trafiku detar që më parë kalonte në Detin e Zi është zhvendosur pjesërisht në Kaspik, ku operojnë edhe anije fantazmë që çaktivizojnë sistemet e identifikimit për të shmangur monitorimin satelitor.
Sipas burimeve diplomatike në Kiev, Izraeli ka luajtur një rol kyç edhe në operacione të tjera në këtë zonë, përfshirë fundosjen e një anijeje ruse që transportonte dronë iranianë Shahed. I njëjti burim shton se Netanyahu e ka kuptuar rëndësinë strategjike të Detit Kaspik dhe, përmes bashkëpunimit me Zelenskyn, ka arritur ta bindë edhe presidentin amerikan Donald Trump për rreziqet që paraqet kjo zonë./mxh
