Japonia po përshpejton ndërtimin e kapaciteteve të saj ushtarake, duke e lidhur forcimin e mbrojtjes edhe me rritjen ekonomike. Në dokumentin e fundit vjetor për mbrojtjen, qeveria japoneze identifikon Kinën, Rusinë dhe Korenë e Veriut si kërcënimet kryesore për sigurinë e vendit.
Sipas raportit, Japonia duhet të përdorë më shumë teknologjinë e avancuar, të mbështesë startup-et dhe të rrisë përdorimin e komponentëve të prodhuar për tregun civil në industrinë e armatimeve. Ministria e Mbrojtjes argumenton se investimet në mbrojtje mund të sjellin përfitime edhe për ekonominë dhe jetën e qytetarëve.
Mesazhi pasqyrohet edhe në kopertinën e dokumentit, e cila këtë vit ka një stil anime dhe paraqet një familje të buzëqeshur në një qytet futurist, në vend të imazheve tradicionale me ushtarë dhe armë. Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes tha se dizajni synon të përcjellë një “imazh futurist”.
Dokumenti e cilëson Kinën si “sfidën më të madhe strategjike” për Japoninë, duke iu referuar aktiviteteve ushtarake të Pekinit dhe veprimeve të tjera në rajon.
Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan vitin e kaluar, pasi kryeministrja Sanae Takaichi deklaroi se Japonia mund të aktivizonte Forcat e Vetëmbrojtjes nëse një sulm kinez ndaj Tajvanit do të kërcënonte mbijetesën e Japonisë. Pekini kërkoi tërheqjen e deklaratës.
Shpenzimet japoneze për mbrojtjen kanë arritur në rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i lartë që nga Lufta e Dytë Botërore. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të reja është përdorur për raketa me rreze veprimi mbi 1000 kilometra.
Në fazën e ardhshme, Japonia pritet të investojë më shumë në dronë dhe sisteme të tjera pa pilot, të cilat janë përdorur gjerësisht në luftën në Ukrainë./ad
