Last Updated on 04/08/2026 by EL
Kur po i afrohemi fillimit të muajit gusht, investimi i nisur në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia” në Durrës ende nuk ka përfunduar, pavarësisht premtimeve të inxhinierit të firmës zbatuese dhe kryetares së Bashkisë, Emiriana Sako, se punimet do të mbylleshin brenda muajit qershor.
Në kantierin e ndërtimit, të hapur në një nga hapësirat publike më të frekuentuara të qytetit, për të dytën verë radhazi mungojnë punëtorët dhe mjetet e rënda. Zvarritja e punimeve ka sjellë pakënaqësi te qytetarët, të cilët e konsiderojnë të papranueshme lënien përgjysmë të investimit gjatë sezonit turistik.
“Ne nuk na pengon se rrugën e kemi, por bie shumë në sy për keq. Punimet nuk duhen lënë kurrë në mes. Duhej të ishin përfunduar me kohë. Një herë u lanë pas dore, tani janë lënë sërish”, thotë një qytetar.
“Këto punime duhen përfunduar sa më shpejt. Është një pamje shumë e keqe dhe nuk duket sikur do të mbarojnë ndonjëherë”, shprehet një tjetër.
Punimet, të nisura vitin e kaluar, ishin planifikuar të zgjasnin tetë muaj, por edhe ky investim publik nuk është përfunduar brenda afateve të parashikuara. Ndërkohë, kantieri është kthyer në një vend ku grumbullohen mbeturina, duke dëmtuar pamjen e shëtitores dhe përvojën e turistëve e vizitorëve gjatë sezonit veror./et
