Mbi 900 fluturime janë anuluar në aeroportet e Shangait, ndërsa reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në disa zona të Kinës lindore, pas goditjes së tajfunit “Dolphin”.
Më shumë se 900 fluturime, rreth 40% e totalit të planifikuar, u anuluan në aeroportet Hongqiao dhe Pudong të Shangait, pasi rreth 1,300 fluturime të tjera ishin anuluar një ditë më parë, njoftoi Grupi i Aeroportit të Shangait.
Stuhia “Dolphin” solli reshje të rrëmbyeshme në pjesë të Kinës lindore, duke shkaktuar përmbytje dhe duke rritur rrezikun për rrëshqitje dheu. Autoritetet kanë marrë masa emergjente në disa zona të prekura.
Në Shangai u pezulluan përkohësisht disa linja të metrosë, ndërsa Grupi i Hekurudhave të Kinës Chengdu anuloi ose pezulloi 115 trena, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezik të lartë nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Në qytetin Yueqing, në provincën Zhejiang, ekipet e emergjencave u angazhuan për shpëtimin e personave të bllokuar në banesat e përmbytura.
Sipas Administratës Meteorologjike të Kinës, “Dolphin” po lëvizte drejt veriperëndimit me një shpejtësi prej 15 deri në 20 kilometra në orë dhe pritej të dobësohej gradualisht.
Stuhia goditi tokën të dielën në mbrëmje në Taizhou, në provincën Zhejiang, me erëra që arritën shpejtësinë 151 kilometra në orë. Para se të mbërrinte në Kinë, ajo kishte sjellë reshje të dendura në veri të Tajvanit gjatë fundjavës.
Mbi 760 mijë persona u evakuuan
Për shkak të rrezikut nga stuhia, të paktën 760 mijë persona u zhvendosën paraprakisht nga zonat e rrezikuara. Vetëm në Taizhou u evakuuan më shumë se 390 mijë njerëz.
Autoritetet në Shangai dhe në provincën Fujian njoftuan se evakuuan përkatësisht mbi 210 mijë dhe 160 mijë banorë nga zonat më të rrezikuara.
Në Hangzhou, kryeqytetin e provincës Zhejiang, autoritetet mbyllën përkohësisht atraksionet turistike të Liqenit Perëndimor, së bashku me disa tempuj, parqe dhe muze. Objektet pritet të rihapen të martën.
Reshjet shkaktojnë viktima edhe në Filipine
Ndikimi i “Dolphin” është ndjerë edhe në Filipine, ku stuhia ka forcuar shirat sezonalë të musonit, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Luzonin verior.
Një rrëshqitje dheu në qytetin malor të Baguio-s varrosi tre shtëpi gjatë natës të së dielës. Dhjetë persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë u shpëtuan të plagosur dhe u dërguan në spital.
Sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile të Filipineve, numri i viktimave nga gati një javë me reshje të dendura, përmbytje dhe ndikimin e një stuhie tropikale në veri të Luzonit ka arritur në 19.
Më shumë se një milion persona janë prekur nga reshjet dhe përmbytjet, ndërsa rreth 98 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga banesat e tyre.
Ndërkohë, një tjetër stuhi tropikale, “Chan-hom”, po lëvizte të hënën drejt bregdetit të Paqësorit të Japonisë. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, stuhia kishte erëra deri në 83 kilometra në orë dhe pritej të forcohej përpara se të arrinte në tokë të martën ose të mërkurën./kb
