Një super-jaht luksoz me vlerë afro 450 milionë euro ka mbërritur mëngjesin e sotëm, 11 gusht, në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për M/Y Deep Blue, një jaht i ndërtuar në vitin 2026 nga kompania gjermane Lürssen. Me një gjatësi prej rreth 134 metrash dhe me numër IMO 9950686, jahti konsiderohet një prej super-jahteve më të mëdha dhe luksoze të ndërtuara së fundmi.
Sipas të dhënave të disponueshme, M/Y Deep Blue është në pronësi të miliarderit kinez Richard Qiangdong Liu, i njohur si Richard Liu, themelues dhe drejtues i kompanisë së tregtisë elektronike JD.com. Arsyeja e ndalesës në Durrës është furnizimi me karburant. Sipas burimeve nga Kapiteneria e Portit të Durrësit, super-jahti pritet të furnizohet me rreth 300 mijë litra naftë.
Furnizimi pritet të sjellë gjithashtu të ardhura për shtetin shqiptar përmes taksës së luksit. Në sajë të këtij furnizimi shteti pritet të përfitojë 120 000 euro për shkak të taksës së luksit, e cila llogaritet në 0.4 euro për çdo litër naftë furnizimi./kb
