Last Updated on 13/08/2026 by EL
Rumania ka ndalur të enjten edhe reaktorin e dytë të centralit bërthamor të Cernavoda, për shkak të rënies së ndjeshme të nivelit të Danubit, ujërat e të cilit përdoren për ftohjen e reaktorëve.
Cernavoda, i vetmi central bërthamor i Rumanisë, prodhon zakonisht rreth një të pestën e energjisë elektrike të vendit. Njëri prej dy reaktorëve, me kapacitet 700 MW secili, ishte ndalur që muajin e kaluar, ndërsa drejtori i centralit, Romeo Urjan, tha se nuk parashikohet rinisja e tij brenda 10 ditëve të ardhshme.
Rumania kishte shpenzuar më shumë se 2 milionë euro për të shmangur mbylljen e plotë, duke ndërhyrë për devijimin e rrjedhës së Danubit, përfshirë shpërthimin e një shkëmbi dhe zhytjen e katër maunave të mbushura me gurë.
Ministria e Energjisë ka deklaruar se energjia nga burimet e erës dhe importet do të ndihmojnë në garantimin e furnizimit, por ka bërë thirrje për konsum të përgjegjshëm. Në rast nevoje, konsumatorëve të mëdhenj industrialë mund t’u kufizohet përdorimi i energjisë gjatë orëve të mbrëmjes.
Danubi në nivele rekord
Sipas një analize të observatorit europian të klimës Copernicus, në gati dy të tretat e Danubit janë regjistruar prurjet më të ulëta për muajin korrik në 34 vitet e fundit.
Thatësira e rënduar nga ndryshimet klimatike po prek edhe Hungarinë, ku centrali bërthamor Paks, i cili gjithashtu ftohet me ujërat e Danubit, është pjesërisht i ndalur. Autoritetet hungareze po ndërtojnë një barrierë nënujore dhe po vendosin dy mauna të mëdha për të rritur nivelin e ujit pranë centralit.
Rënia e nivelit të Danubit ka goditur rëndë edhe transportin lumor përgjatë itinerarit prej rreth 2,850 kilometrash, nga Gjermania perëndimore deri në derdhjen e lumit në Detin e Zi.
