Zjarrfikësi Luan Kapaj ka dhënë detaje mbi ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit që përfshiu hotel “Brooklyn” në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, në orët e para të mëngjesit.
zjarrfikesi luan
Kapaj tha se situata ishte veçanërisht e vështirë, pasi flakët kishin përfshirë në përmasa të mëdha katin e parë të godinës, ku ndodhej bar-restoranti, dhe rrezikonin të përhapeshin në katin e dytë, ku ndodhej hoteli.
Sipas tij, alarmi i parë është marrë pasi një person kishte konstatuar zjarrin në ambientet e katit të parë dhe kishte njoftuar përmes zyrës së informacionit. Në momentin e mbërritjes së forcave zjarrfikëse, i gjithë kati i parë ishte përfshirë nga flakët.
hotel “Brooklyn” (2)
Për shkak të tymit dhe flakëve, banorët e hotelit nuk kanë mundur të përdornin shkallët për t’u larguar dhe në këto kushte, disa prej tyre janë detyruar të dalin në ballkone dhe të hidhen nga kati i dytë për t’i shpëtuar flakëve.
“Mbrëmë kemi pasur një situatë disi të veçantë sepse ka qenë një zjarr në përmasa të mëdha në katin e parë të bar-restorantit dhe desh u përhap në aktin e dytë ku ishte hoteli.
Fillimisht në zyrën e informacionit ka ardhur një telefonatë, dikush ka kaluar, ka parë një si djegie “po digjet një kolltuk.” Ekipi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje, komplet kati i parë në flakë.
U desh të bëhej ndërhyrja në dy drejtime, të izolohej kati i parë që mos të kalonte zjarri drejt hotelit dhe të bëhej i mundur evakuimi i gjithë banorëve rezidentë në hotel. U punua me forcat në dispozicion dhe me ndihmë nga të tjerat. Për banorët ishte e pamundur të dilnin nga shkallët dhe u detyruan të hidheshin nga ballkoni”, tha zjarrfikësi Luan Kapaj.
hotel brooklyn
Kujtojmë se zjarri la të lënduar gjashtë pushues, pesë prej të cilëve janë transportuar në Tiranë për trajtim të specializuar. Tre ndodhen në Spitalin “Nënë Tereza”, në repartin e Djegie Plastikës, ndërsa dy të tjerë në Spitalin e Traumës për shkak të frakturave të pësuara nga hedhja prej ballkoneve.
Një prej pacienteve me djegie ndodhet në gjendje të rënduar dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm mjekësor, ndërsa pacientët e tjerë paraqiten të stabilizuar.
Sipas Policisë, zjarri dyshohet se ka qenë aksidental dhe është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit në ambientet e restorantit./kb
