Një nga itineraret më të rinj të ecjes në Francë po fiton shpejt vëmendjen e udhëtarëve që kërkojnë përvoja larg turizmit masiv. Bëhet fjalë për shtegun GR736, një rrugë rreth 300 kilometra e gjatë, e inauguruar në vitin 2023, që ndjek lumin Tarn nga burimi i tij në Parkun Kombëtar Cévennes deri në qytetin historik të Albit.
Pjesa më spektakolare e këtij itinerari është kalimi përmes Gorges du Tarn, një kanion gëlqeror 53 kilometra i gjatë, i konsideruar ndër më mbresëlënësit në Evropë. Shkëmbinjtë ngrihen deri në 500 metra mbi lumë, ndërsa peizazhi alternon pyje, livadhe me lule të egra, fshatra mesjetarë dhe shtigje të gdhendura në faqet e kanionit.
Ky destinacion nuk tërheq vetëm për panoramat. Zona është një nga më të pasurat në biodiversitet në Francë. Ujërat e kristalta të lumit Tarn janë habitat për kastorë, vidra, trofta dhe dhjetëra specie shpendësh, ndërsa qielli dominohet nga qindra shkaba që fluturojnë mbi kanion. Në brigjet e lumit rriten edhe mbi 30 lloje orkidesh të egra, duke e kthyer zonën në një parajsë për adhuruesit e natyrës.
Ecja zgjat rreth pesë ditë dhe nis nga fshati malor Le Pont-de-Montvert, për të vijuar drejt grykës së lumit përmes pyjeve të ahut dhe pishës, livadheve alpine dhe vendbanimeve të vogla historike. Gjatë rrugës, udhëtarët kalojnë nëpër fshatra si Castelbouc, me shtëpi të ndërtuara në shkëmb, dhe Saint-Chély-du-Tarn, i njohur për kishën e shekullit XII dhe mullirin tradicional të ujit.
Një nga momentet më të veçanta të itinerarit është lundrimi me barkat tradicionale me fund të sheshtë në segmentin pranë La Malène, ku guidat lokale tregojnë historinë e zonës dhe ndihmojnë vizitorët të vëzhgojnë kolonitë e kastorëve dhe katër llojet e shkabave që jetojnë në kanion. Më tej, shtegu kalon pranë fshatrave të braktisur dhe tarracave të dikurshme bujqësore, që sot janë rikthyer në habitat natyror për drerë, derra të egër dhe specie të tjera të faunës vendase.
Për ta bërë përvojën më të aksesueshme, operatorët lokalë ofrojnë transport të bagazheve nga një akomodim në tjetrin, duke u mundësuar vizitorëve të ecin vetëm me çantat e ditës. Rruga është menduar për turistët që kërkojnë një kombinim mes aventurës, natyrës dhe komoditetit.
Përveç peizazhit, rajoni është i njohur edhe për gastronominë lokale. Restorantet përgjatë itinerarit shërbejnë troftë të kapur në lumin Tarn, specialitete me gështenja dhe verëra të zonës, duke e kthyer ecjen në një eksperiencë që ndërthur natyrën me kulturën dhe kulinarinë franceze.
Autori britanik Robert Louis Stevenson e përshkroi dikur luginën e Tarn si vendin ku mund të ndodhej “Kopshti i Edenit”. Sot, me hapjen e shtegut të ri GR736 dhe interesin në rritje për turizmin e qëndrueshëm, kjo zonë po pozicionohet si një nga destinacionet më tërheqëse të ecjeve në Evropë për vitin 2026./ THE GUARDIAN-ad
