Alessandra Ambrosio ka një arsye të veçantë për të festuar. Modelja braziliane ka konfirmuar fejesën me partnerin e saj, Buck Palmer, pas rreth dy vitesh lidhje.
Propozimi romantik ka ndodhur gjatë pushimeve të çiftit në Indonezi, ku Palmer kishte përgatitur një surprizë të veçantë për partneren e tij. Në plazh, ai kishte krijuar një zemër të madhe me lule të kuqe përpara se t’i kërkonte Ambrosios të martoheshin.
Lajmin e bukur e ndau vetë modelja në Instagram, përmes një postimi të përbashkët me të fejuarin. Krahas fotove nga momenti i propozimit, ajo shkroi një dedikim romantik:
“Do të të zgjidhja në këtë jetë dhe në çdo jetë. Përgjithmonë, dashuria ime.”
Por përveç momentit romantik, vëmendjen e fansave e ka tërhequr edhe unaza e fejesës. Ambrosio ka publikuar pamje nga afër të bizhuterisë luksoze, e cila është një unazë solitare me diamant.
Sipas ekspertëve të bizhuterive të konsultuar nga “Page Six Style”, diamanti mund të jetë nga 5 deri në 8 karat. Olivia Landau, themeluese e “The Clear Cut”, ka vlerësuar se guri mund të jetë rreth 5 deri në 7 karat dhe se vlera e unazës mund të luhatet nga 200 mijë deri në 500 mijë dollarë, në varësi të karakteristikave të diamantit.
Fejesa shënon një hap të ri në marrëdhënien e çiftit, ndërsa Ambrosio dhe Palmer duket se janë gati të nisin përgatitjet për martesën./mxh
