Rusia ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar për “pasoja” pas konfirmimeve se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur nga Ukraina në sulmet ndaj objektivave brenda territorit rus.
Moska akuzon Londrën se po përshkallëzon qëllimisht konfliktin dhe se përfshirja britanike në luftë po bëhet gjithnjë e më e drejtpërdrejtë.
Ambasada ruse në Britani e Madhe deklaroi se Londra po vepron si “bashkëpunëtore dhe bashkëkryese” e sulmeve ndaj Rusisë. “Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Ruse.
Moska paralajmëroi gjithashtu se sa më e thellë të jetë përfshirja e Britanisë në konflikt, aq më i lartë do të jetë “çmimi” që do të paguajë.
Britania e Madhe i është përgjigjur deklaratave të Moskës duke përsëritur mbështetjen e saj për Ukrainën. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes britanike tha se Londra qëndron “krah për krah” me Ukrainën dhe se Rusia nuk duhet të ketë dyshime për vendosmërinë e qeverisë britanike për t’iu kundërvënë agresionit rus. Sipas tij, Britania mbetet e angazhuar për t’i siguruar Ukrainës pajisjet që i nevojiten për t’u mbrojtur ndaj pushtimit rus.
Sipas BBC, dronët në fjalë janë prodhuar nga dy kompani britanike dhe janë përdorur nga Ukraina në sulme brenda Rusisë. Mes objektivave të goditura janë raportuar infrastruktura ushtarake dhe industriale, rafineri nafte dhe qendra logjistike të kompanisë ruse të shitjeve online Wildberries.
Një burim ushtarak thotë se dronët britanikë janë përdorur në sulme dhe se dëmet ekonomike të shkaktuara nga operacionet ukrainase në Rusi vlerësohen në më shumë se 35 miliardë paund.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se dronë që përdorin komponentë dhe konfigurime britanike janë përdorur për të goditur territorin rus, përfshirë një depo karburanti në rajonin e Rostovit.
Paralajmërimi i Moskës vjen pas një vale të re sulmesh me dronë. Zyrtarët rusë thanë se rreth 620 dronë u drejtuan gjatë natës drejt rajonit të Moskës, ndërsa mbrojtja ajrore ruse pretendon se shkatërroi më shumë se 180 prej tyre. Një sulm i një nate më parë shkaktoi 9 viktima dhe 23 të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë, sipas autoriteteve ruse.
Ndërkohë, të shtunën Ukraina dyshohet se lëshoi rreth 822 dronë drejt Rusisë, 600 prej të cilëve synonin Moskën. Sipas autoriteteve ruse, sulmet shkaktuan 7 viktima.
Në krahun tjetër, sulmet ruse ndaj Ukrainës gjatë së njëjtës natë shkaktuan të paktën 7 të vrarë dhe mbi 39 të plagosur.
Britania ka rritur ndihmën ushtarake për Ukrainën. Në prill, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi një paketë që përfshin dhjetëra mijëra dronë, mes tyre edhe pajisje sulmi me rreze të gjatë veprimi./ad
