Një sulm rus në një fshat në rajonin e Kharkiv në verilindje të Ukrainës vrau të paktën 10 persona, tha të martën guvernatori lokal. Sulmi vjen në mes të një rritjeje të vdekjeve civile në luftën katërvjeçare e gjysmë.
Forcat ruse “kryen një sulm me raketa në Pechenigy”, një fshat rreth 40 kilometra larg kufirit rus, tha guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleg Synegubov, në mediat sociale.
“Sipas informacioneve paraprake, 10 persona u vranë”, shtoi ai, ndërsa tetë të tjerë u plagosën.
Sulmi dëmtoi shtëpi private dhe dyqane, shtoi ai.
Rajoni i Kharkivit, pjesë të të cilit janë të pushtuara nga forcat ruse, është goditur rëndë që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ndërkohë, një total prej 620 dronësh fluturuan drejt rajonit të Moskës gjatë natës, thanë zyrtarët rusë të martën, duke raportuar se disa persona u plagosën dhe ndërtesa u goditën.
“Sonte dhe në mëngjes, forcat e mbrojtjes ajrore dhe të luftës elektronike po zmbrapsnin një sulm të madh me dronë në rajonin e Moskës”, tha guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, në Telegram.
“Pasojat më të rënda” u raportuan në lagjen Pavlovsky Posad, ku një shtëpi u dogj, tha Vorobyov.
Me luftimet në vijën e frontit që pothuajse kanë ndaluar dhe bisedimet e ngrira, Ukraina dhe Rusia kanë shtuar ndjeshëm sulmet në distanca të gjata, duke e çuar numrin e viktimave të civilëve në nivelet më të larta që nga muajt e parë të luftës në vitin 2022./ad
