Bota e modës është tronditur nga një humbje e papritur. Mathilde Favier, një prej figurave historike të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun të Dior, ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare pas një aksidenti automobilistik në Francë.
Aksidenti ndodhi të hënën, më 17 gusht. Favier udhëtonte së bashku me partnerin e saj, producentin e filmave Nicolas Altmayer, 61 vjeç, kur automjeti i tyre u përplas me një kamion që vinte në drejtim të kundërt. Sipas mediave franceze, dyshohet se përplasja ndodhi gjatë një manovre parakalimi.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit dhe për ngjarjen po hetohet si vrasje e pavullnetshme.
Lajmi i rëndë u konfirmua nga Dior, e cila e përshkroi vdekjen e Favier si aksidentale dhe i kushtoi homazhe një prej njerëzve që kishte luajtur rol të rëndësishëm në imazhin e shtëpisë franceze të modës.
“Mathilde e donte jetën me pasion. Me humbjen e Mathilde, Dior humbet një profesioniste të jashtëzakonshme dhe unë kam humbur një mike besnike”, deklaroi Delphine Arnault, drejtuese e Christian Dior Couture.
Edhe Jonathan Anderson, drejtori kreativ i Dior, reagoi për humbjen, duke e kujtuar Favier si një njeri jashtëzakonisht pozitiv, bujar dhe plot energji. Ai e cilësoi atë në mënyrë simbolike si “shpirtin e Couture”.
Favier iu bashkua Dior në vitin 2011, pas një periudhe pune në Prada. Gjatë viteve të saj në shtëpinë franceze, ajo u bë një nga figurat kryesore pas komunikimit të markës dhe punoi me disa prej yjeve më të mëdha që kanë qenë pjesë e universi të Dior, përfshirë Natalie Portman, Rihanna dhe Jennifer Lawrence.
Përtej karrierës në modë, Favier ishte edhe autore. Në vitin 2024 publikoi librin Living Beautifully in Paris, ndërsa në jetën private ishte nënë e dy fëmijëve, Héloïse dhe Carlo.
Djali i saj, Carlo, ka ndarë gjithashtu një mesazh prekës në rrjetet sociale pas humbjes së së ëmës, duke shprehur vështirësinë për të pranuar një ndarje kaq të papritur./mxh
