Meta ka filluar të përballet me pasojat e para të gjyqit të hapur ndaj saj, pasi mësohet se aksionet e Facebook dhe Instagram kanë pësuar një rënie të ndjeshme, që përkthehet në më pak para për kompaninë.Nga mediat e huaja raportohet se aksionet e Facebook-ut dhe Instagramit kanë pësuar një rënie prej 3,5%, duke zbritur nën nivelin e 500 dollarëve.
Sakaq, raportohet se gjatë argumenteve hyrëse në gjyqin e mbajtur mes ShBA-ve dhe Metës, përfaqësuesit e shtetit të Kalifornisë paraqitën një qëndrim mjaft agresiv ndaj gjigantit teknologjik, duke e krahasuar strategjinë e tij me atë të kompanive të duhanit në vitet 1990.
“Meta skllavëroi dhe shfrytëzoi të miturit, si dhe mashtroi publikun. Kompania shfrytëzoi funksionimin e trurit të fëmijëve,” deklaroi Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme e Kalifornisë, Megan O’Neil, përpara trupës gjykuese.
Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, nënvizoi se Meta projektoi vetëdijshëm produkte të rrezikshme për përdoruesit e rinj.
“Meta projektoi një produkt që ishte i rrezikshëm për përdoruesit e rinj, e dinte se ishte i rrezikshëm dhe më pas i gënjeu fëmijët, familjet dhe komunitetin për rreziqet e tij. Ne jemi të përgatitur ta mbajmë Metën përgjegjëse,” u shpreh Bonta.
Procesi gjyqësor, i cili pritet të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë, është pasuar me një humbje të mëparshme ligjore të Metës në Nju Meksiko, ku kompania u detyrua të paguajë gati 1 miliard dollarë. Megjithatë, pesha ligjore e Kalifornisë mund të detyrojë ndryshime akoma më thelbësore përmes një urdhri gjyqësor kombëtar./ad
