Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, kanë shprehur të mërkurën mbështetjen e tyre të vendosur për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Në deklaratat e publikuara në rrjetin social X, dy drejtuesit europianë thanë se qëndrojnë fuqishëm në krah të Gjykatës, presidentes së saj, gjyqtares japoneze Tomoko Akane, si dhe zyrtarëve që punojnë për përmbushjen e misionit të institucionit.
Von der Leyen dhe Costa theksuan se Gjykata Penale Ndërkombëtare luan një rol të rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë për viktimat e krimeve më të rënda në botë.
Sipas tyre, gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrën në mënyrë të pavarur dhe pa presion të jashtëm.
Reagimi i liderëve europianë vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj presidentes së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Tomoko Akane, dhe prokurorit senegalez Abdoulaye Seye.
Seye ka qenë pjesë e ekipit të prokurorisë që kërkoi lëshimin e një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Vendimi i Uashingtonit ka shkaktuar reagime në Europë, ndërsa institucionet europiane kanë ritheksuar rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe të zyrtarëve të saj./MXH
