Policia nepaleze raportoi të mërkurën në mbrëmje se ka gjetur 157 trupa pas përmbytjeve shkatërruese që goditën rajonin kufitar me Tibetin në veri të vendit.
Me viktimat e raportuara më herët, numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në të paktën 160, ndërsa qindra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonën kufitare, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave që rezultojnë të zhdukur.
Disa orë më parë, media shtetërore kineze raportoi gjithashtu humbje të konsiderueshme jetësh si pasojë e një rrëshqitjeje dheu në një qytet kufitar. Sipas raportimit, tre persona u vranë, ndërsa 265 të tjerë rezultonin të zhdukur.
Autoritetet në të dyja anët e kufirit po vijojnë përpjekjet për kërkim dhe shpëtim, ndërsa përmasat e plota të katastrofës dhe dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut pritet të bëhen më të qarta në orët në vijim./mxh
