Një person ka humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur pasi një automjet përplasi qëllimisht këmbësorët pranë një bari në Caen, në Francën perëndimore, të mërkurën në mbrëmje.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:15, në një rrugë publike përballë stacionit të trenit. Sipas autoriteteve, automjeti goditi këmbësorët përpara se drejtuesi të largohej nga vendngjarja.
Prefekti i Calvados, David Clavier, tha se bilanci ishte një i vdekur, shtatë persona në gjendje kritike dhe tre të tjerë të plagosur rëndë.
Sipas një burimi të AFP-së në polici, incidenti ndodhi pas një grindjeje. Shoferi u largua nga vendngjarja, por u arrestua më vonë në Ouistreham, rreth 20 kilometra larg Caen.
I dyshuari është një 26-vjeçar i lindur në Rusi. Sipas prefektit Clavier, ai nuk ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës, ndërsa më parë kishte qenë në vëmendjen e policisë vetëm për shkelje të kodit rrugor.
Autoritetet kanë nisur një hetim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë./kb
