Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar alokimin e 206 milionë dollarëve për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila parashikohet të dislokohet në Gaza, ndërsa Shqipëria dhe Kosova do të jenë ndër vendet e para që do të përfitojnë pajisje ushtarake amerikane në kuadër të misionit, sipas thegeopost.com.
Departamenti amerikan i Shtetit ka nxjerrë dy njoftime që parashikojnë financimin për pajisje, infrastrukturë, automjete dhe kostot operative të forcës ndërkombëtare.
Një prej njoftimeve parashikon edhe 6,3 milionë dollarë shtesë për rikonstruksionin dhe përshtatjen e nëntë transportuesve të blinduar të personelit, të cilët fillimisht ishin planifikuar t’i dorëzoheshin Nepalit.
Shqipëria dhe Kosova do të jenë përfitueset e para të këtyre mjeteve, në kuadër të angazhimit të tyre në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Deri tani, pesë vende kanë premtuar dërgimin e trupave në ISF, që janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria.
Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë shprehur gatishmërinë për të trajnuar forcat e policisë.
Ende nuk është përcaktuar se kur trupat e vendeve pjesëmarrëse do të mund të dislokohen në Gaza.
Presidenti amerikan Donald Trump krijoi Bordin e Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të mbështetur rindërtimin e territorit të shkatërruar nga konflikti.
Plani parashikon vendosjen e një force paqeruajtëse në Gaza, e cila do të garantojë sigurinë në zonat nga të cilat do të tërhiqen trupat izraelite, do të trajnojë forca të reja të policisë palestineze dhe do të mbështesë shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Pjesa më e madhe e Gazës vijon të jetë e shkatërruar pas dy vitesh lufte, e cila nisi pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Përpjekjet për zbatimin e një marrëveshjeje të njoftuar në fund të korrikut, megjithatë, kanë ngecur, pasi Izraeli dhe Hamasi nuk kanë pranuar të përmbushin kushtet e nevojshme për avancimin e saj./mxh
