Një valë e përdorimit të ilaçeve për dobësim ka ngritur shqetësim të madh në Brazil, ndërsa autoritetet po përballen me një rritje të fortë të kontrabandës dhe përdorimit të produkteve të paautorizuara.
Në prill, agjentët doganorë brazilianë ndaluan një autobus turistik që po hynte nga Paraguai. Gjatë kontrollit, në kavanoza me dulce de leche u zbuluan qindra flakonë me tirzepatidë, përbërësi aktiv i ilaçit të njohur për dobësim Mounjaro. Në total, autoritetet sekuestruan më shumë se 2 mijë e 500 flakonë.
Por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Në kufirin mes Brazilit dhe Paraguait, medikamentet për dobësim po gjenden të fshehura në vende gjithnjë e më të pazakonta, mes tyre edhe në tubat e shkarkimit të motorëve dhe në shollët e këpucëve.
Bëhet fjalë kryesisht për ilaçe të grupit GLP-1, si Mounjaro dhe Wegovy, të cilat janë bërë jashtëzakonisht të kërkuara në Brazil.
Shifrat kanë alarmuar ekspertët e shëndetësisë. Sipas autoriteteve braziliane, nga viti 2018 deri në mesin e gushtit 2026 janë regjistruar 83 vdekje dhe më shumë se 3 mijë e 600 komplikacione që po hetohen në lidhje me përdorimin e ilaçeve për dobësim.
Më shumë se 60 për qind e këtyre komplikacioneve janë raportuar vetëm gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Autoritetet dyshojnë se një pjesë e rëndësishme e problemeve mund të lidhet me produktet e pakontrolluara, të kontrabanduara ose të përgatitura jashtë standardeve.
Sipas vlerësimeve të bankës së investimeve Itaú BBA, tregu brazilian i ilaçeve për dobësim pritet të arrijë rreth 7 miliardë dollarë këtë vit. Rreth gjysma e shitjeve parashikohet të vijë nga produkte të përgatitura në farmaci ose nga medikamente të kontrabanduara nga Paraguai.
Në Brazil, përdorimi i këtyre ilaçeve është veçanërisht i lartë. Sipas Euromonitor International, rreth 5.5 për qind e popullsisë braziliane i ka përdorur, kundrejt një mesatareje globale prej 3.7 për qind.
Çmimi është një nga arsyet kryesore që i shtyn konsumatorët drejt tregut informal.
Një grua nga Rio de Janeiro, e cila punon si kujdestare kafshësh dhe merr pagën minimale prej rreth 300 dollarësh në muaj, tha se blen një ilaç të prodhuar në Paraguai për rreth 75 dollarë, i cili i mjafton për gjashtë javë.
Në Brazil, një trajtim katërjavor me dozën më të ulët të Mounjaro kushton rreth 290 dollarë, ndërsa një kuti me dozë të lartë të Wegovy kushton rreth 340 dollarë përmes një programi mbështetës për pacientët.
Autoritetet paralajmërojnë se çmimi më i ulët mund të shoqërohet me rreziqe serioze.
Mjekët dhe farmacistët theksojnë se ruajtja në temperatura të papërshtatshme, veçanërisht gjatë transportit, mund të dëmtojë injeksionet. Ndërkohë, përdorimi pa kontroll mjekësor mund të shkaktojë komplikacione të rënda.
Ilaçet GLP-1 lidhen, ndër të tjera, me rrezikun e pankreatitit akut. Autoritetet braziliane kanë paralajmëruar gjithashtu për probleme të mundshme gjatë anestezisë, pasi këto medikamente ngadalësojnë tretjen.
Një rast tragjik po hetohet në shtetin Paraiba. Mjeku ligjor Flavio Fabres tha se kreu autopsinë e një 31-vjeçareje, e cila humbi jetën pasi përdori një ilaç për dobësim pa u konsultuar me mjek.
Sipas tij, pas marrjes së një doze, niveli i sheqerit në gjak i ra ndjeshëm. Gruaja humbi ndjenjat dhe përmbajtja e stomakut hyri në rrugët e frymëmarrjes, duke shkaktuar asfiksi.
Autoritetet nuk kanë përcaktuar se çfarë lloj ilaçi për dobësim kishte përdorur ajo.
Pavarësisht paralajmërimeve, shumë brazilianë thonë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga këto trajtime.
Një tjetër 31-vjeçare nga Rio de Janeiro tregoi se përdor një injeksion të kontrabanduar së bashku me partnerin dhe tre familjarë. Ajo nuk ishte konsultuar asnjëherë me mjek dhe, pas rritjes së dozës, përfundoi e shtrirë në shtrat për katër ditë me temperaturë, të përziera dhe simptoma të ngjashme me gripin.
Ndërsa autoritetet braziliane përpiqen të frenojnë kontrabandën, ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i kërkesës së lartë, çmimeve të shtrenjta dhe mungesës së mbikëqyrjes mjekësore mund ta kthejë bumin e ilaçeve për dobësim në një problem serioz të shëndetit publik./mxh
