Vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës country, Dolly Parton, ylli i saj në Hollywood Walk of Fame është vandalizuar.
Pas lajmit për vdekjen e këngëtares në moshën 80-vjeçare, fansat u mblodhën pranë yllit të saj në Hollywood, duke lënë lule, qirinj, kartolina dhe kujtime të tjera në nderim të saj.
Por të hënën, më 1 shtator, një vizitor konstatoi se ylli ishte dëmtuar. Sipas fotografive të publikuara në rrjetet sociale, vandalizmi kishte prekur veçanërisht emrin e Dolly Parton të vendosur në pllakën përkujtimore. Ana Martinez, zëdhënëse e Dhomës së Tregtisë së Hollywood-it, konfirmoi dëmtimin dhe tha se organizata ishte vënë në dijeni për incidentin pasi një fans publikoi fotografi në rrjetet sociale.
Dolly Parton’s Hollywood Walk of Fame star vandalized https://t.co/roq1yJ8pBZ pic.twitter.com/RLEY2i4QbL
— New York Post (@nypost) September 1, 2026
“Duket se ylli është vandalizuar dhe dëmtuar”, deklaroi Martinez. Ajo bëri të ditur gjithashtu se lulet dhe sendet e lëna nga fansat u hoqën përkohësisht, në mënyrë që të mund të nisnin punimet e riparimit. Sipas saj, restaurimi po kryhet nga Hollywood Historic Trust, organizata përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e yjeve në Walk of Fame.
Punimet pritet të përfundojnë së shpejti. Pas tharjes dhe lustrimit të sipërfaqes, ylli do të jetë sërish i aksesueshëm për fansat. Dolly Parton mori yllin e saj në Hollywood Walk of Fame në qershor të vitit 1984, duke u bërë pjesë e një prej simboleve më të njohura të industrisë së argëtimit amerikan. Vdekja e saj u njoftua më 25 gusht nga nipi i saj dhe pjesëtar i ekipit të sigurisë personale, Brian Seaver, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Më vonë, përfaqësuesit e këngëtares konfirmuan se Parton kishte ndërruar jetë pas një “beteje të shkurtër” me kancerin. Këngëtarja u varros më 28 gusht, ndërsa ceremonia, sipas një burimi të cituar nga mediat amerikane, ishte e thjeshtë dhe në përputhje me dëshirën e saj./k.m
