Zjarri që përfshiu fabrikën që prodhon dronë luftarakë në Poloni, u shkaktua nga sabotazhi, tha sot kryeministri polak Donald Tusk.
Duke folur para një mbledhjeje të qeverisë në Varshavë, Tusk tha se nuk kishte dyshim se zjarri ishte shkaktuar qëllimisht.
Ai shtoi se mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme, nuk mund të përjashtohej as në një zjarr tjetër, që përfshiu një fabrikë të prodhimit të komponentëve për industrinë e aviacionit në Lublin.
Megjithatë, për këtë rast ende nuk ka prova të qarta.
Të hënën, një zjarr shpërtheu në fabrikën e “WB Electronics në Skarżysko-Kamienna”, rreth 150 kilometra në jug të Varshavës. Nga zjarri nuk pati të plagosur.
“WB Electronics” është kompania më e madhe private polake e industrisë së mbrojtjes dhe furnizon me pajisje ushtrinë polake.
Prokuroria po heton rastin nën dyshimin për terrorizëm dhe veprim në emër të një shërbimi të huaj inteligjence, me qëllim dëmtimin e Polonisë.
Sipas transmetuesit “Rmf.fm”, kamerat e sigurisë së kompanisë, dyshohet se kanë filmuar një person me kapuç, që mbulonte fytyrën dhe me një çantë shpine, i cili dyshohet se i vuri zjarrin një prej ambienteve të fabrikës.
Personi dyshohet se aktivizoi gjithashtu sistemin e alarmit.
Të dielën, një zjarr shpërtheu në një objekt prodhimi dhe magazinimi të kompanisë “JFG Composites”, pranë Lublinit, në lindje të Polonisë.
Kompania prodhon komponentë për industrinë e aviacionit.
Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga vendet mbështetëse kryesore politike dhe ushtarake të Ukrainës, e cila po përballet me sulmet e Rusisë.
Varshava e konsideron gjithashtu, Rusinë një kërcënim dhe po rrit ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake.
Autoritetet polake akuzojnë shërbimet ruse dhe bjelloruse të inteligjencës, se kanë dërguar agjentë në vend për të kryer akte sabotazhi./mxh
