Céline Dion është shfaqur jashtë një hoteli në Paris, ku ka kënduar dhe kërcyer për fansat e saj, vetëm pak ditë para rikthimit të shumëpritur në skenë.
Këngëtarja 58-vjeçare ndodhet në kryeqytetin francez, ku po përgatitet për rikthimin e saj në performancat live, tre vite pasi anuloi turneun e saj botëror për shkak të betejës me sindromën e “personit të ngurtë”, një çrregullim i rrallë neurologjik që shkakton ngurtësi të fortë të muskujve dhe spazma.
Dion bëri një paraqitje të veçantë jashtë hotelit Royal Monceau, e veshur me një fustan të veçantë të zi me prerje të drejtë, me pala në pjesën e poshtme dhe bisht të gjatë. Me flokët në stiil të mbledhur dhe me një grim të lehtë, shfaqej mjaft elegante, teksa pamjen e kishte kompletuar me këpucë të zeza me taka.
Superylli bëri paraqitjen e parë publike në kuadër të përgatitjeve për rikthimin në skenë. Dion u pa teksa mbërrinte në Paris dhe, konkretisht, jashtë hotelit ku po qëndron, ku përshëndeti fansat e saj. Ajo kishte veshur një pardesy ngjyrë bezhë dhe çizme me taka.
Në mars, Dion njoftoi rikthimin në skenë me një seri prej 10 koncertesh në Paris. Për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme të publikut, këngëtarja e zgjeroi programin duke shtuar edhe 16 koncerte të tjera, të cilat do të zhvillohen nga shtatori i vitit 2026 deri në maj të vitit 2027.
Céline Dion është një nga zërat më të njohur dhe më të suksesshëm të muzikës botërore, me një karrierë që shtrihet në më shumë se katër dekada. Ajo ka shitur mbi 200 milionë disqe në mbarë botën dhe ka fituar çmime të shumta, përfshirë pesë çmime Grammy.
Ndër hitet e saj më të famshme është “My Heart Will Go On”, kënga ikonike e filmit “Titanic”, që e shndërroi në një ikonë botërore./mxh
