Last Updated on 04/09/2026 by EL
Përfundimi i masave të përkohshme lehtësuese për Sistemin e Hyrje Daljeve, EES, mund të sjellë sërish radhë të gjata dhe vonesa në aeroportet evropiane
Udhëtarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Evropës duhet të përgatiten për ndryshime në kontrollet kufitare. Nga e diela, 6 shtator, përfundojnë masat e përkohshme lehtësuese të lidhura me Sistemin Evropian të Hyrje Daljeve, EES.
Gjatë muajve të verës, vendeve anëtare iu dha mundësia që në situata të jashtëzakonshme të pezullonin përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike të udhëtarëve, si shenjat e gishtërinjve dhe skanimi i fytyrës, në mënyrë që të shmangeshin radhët e tepërta në pikat kufitare.
Por kjo fleksibilitet pritet të përfundojë më 6 shtator, ndërsa kompanitë dhe organizatat e sektorit të udhëtimeve paralajmërojnë se vendimi mund të rikthejë vonesat e gjata në kufijtë evropianë.
Më pak fleksibilitet në aeroporte dhe kufij
Sistemi EES u bë plotësisht funksional në kufijtë evropianë pjesëmarrës më 10 prill 2026, pas një zbatimi gradual që kishte nisur në tetor 2025.
Gjatë kësaj periudhe tranzitore, vendet anëtare kishin mundësi të pezullonin përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike në pika të caktuara kufitare kur numri i madh i udhëtarëve shkaktonte pritje të gjata.
Nga 6 shtatori, kjo mundësi pritet të skadojë. Kjo do të thotë se aeroportet dhe autoritetet kufitare do të kenë më pak hapësirë për të lehtësuar procedurat biometrike kur kontrollet e pasaportave mbingarkohen.
Komisioni Evropian tha më 1 shtator se sistemi EES kishte funksionuar “në përgjithësi mirë” gjatë verës, duke theksuar se përfitimet e sistemit të ri për BE-në janë të dukshme.
Komisioni tha gjithashtu se është në kontakt me vendet anëtare ku nevojiten ende përshtatje në disa pika kufitare, duke nënvizuar se ekziston një vullnet i përbashkët për ta bërë sistemin funksional në të gjitha pikat.
Megjithatë, ekspertët e industrisë së udhëtimeve u bëjnë thirrje pasagjerëve të llogarisin më shumë kohë për kontrollet kufitare.
Jürgen Himmelmann, bashkëthemelues dhe CEO i Global Work & Travel, këshillon udhëtarët të shmangin planifikimin e udhëtimeve me kohë minimale tranziti.
Sipas tij, edhe një lidhje fluturimi që duket e mjaftueshme në letër mund të bëhet problematike nëse një udhëtar humbet një orë ose më shumë në radhët e kontrollit kufitar.
Frika për rikthimin e radhëve të gjata
Organizatat e sektorit të turizmit kanë kërkuar që masat fleksibël të vazhdojnë edhe pas shtatorit.
Luke Petherbridge, drejtor i marrëdhënieve me publikun në ABTA, shoqata britanike e operatorëve turistikë dhe agjencive të udhëtimit, tha se organizata po i kërkon Komisionit Evropian të lejojë përdorimin e këtyre masave edhe përtej shtatorit.
Sipas tij, disa vende ende kanë punë për të bërë përpara se EES të funksionojë në mënyrë të plotë dhe të njëtrajtshme në të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, IATA, tregojnë se kontrollet standarde të pasaportave, të cilat më parë zgjatnin rreth 20 deri në 25 sekonda, tani kërkojnë afërsisht 90 sekonda me sistemin EES.
Në disa prej aeroporteve kryesore evropiane, koha e pritjes është rritur ndjeshëm.
Në Frankfurt, koha mesatare e pritjes arriti në 120 minuta në korrik, nga 60 minuta në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në aeroportin e Mynihut, pritjet kanë arritur deri në 60 minuta, nga 31 minuta një vit më parë.
Ndërkohë, në Amsterdam, koha maksimale e pritjes është rritur nga 80 në 120 minuta.
IATA i ka kërkuar gjithashtu BE-së të zgjasë mekanizmin e përkohshëm të lehtësimit.
“Zgjatja e mundësisë për pezullim të pjesshëm pas 6 shtatorit është absolutisht e nevojshme deri në fund të sezonit dimëror”, tha Thomas Reynaert, zëvendëspresident i lartë për marrëdhëniet me jashtë në IATA.
Ai theksoi se IATA e mbështet plotësisht sistemin EES, por paralajmëroi se përpara heqjes së masave fleksibël duhet të sigurohen sisteme të besueshme, kioska vetëshërbimi plotësisht funksionale, kontrolle të automatizuara kufitare dhe staf i mjaftueshëm.
Për udhëtarët, këshilla kryesore është e thjeshtë: nëse do të kaloni në kufijtë e jashtëm të BE-së në javët e ardhshme, llogarisni më shumë kohë për kontrollin e pasaportës dhe shmangni lidhjet shumë të ngushta mes fluturimeve./et
