Last Updated on 06/09/2026 by EL
Rënja e ndjeshme e vlerës së Shein pas daljes në bursë ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e modelit të modës ultra të shpejtë, i cili është kritikuar prej vitesh për ndikimin tek punëtorët dhe mjedisin.
Platforma e tregtisë online, me seli në Singapor dhe prodhim të përqendruar kryesisht në Kinë, nuk arriti të realizojë listimin në bursat e Londrës dhe Nju Jorkut, mes shqetësimeve për zinxhirin e furnizimit dhe kritikave të forta për ndikimin mjedisor.
Shein u drejtua më pas drejt Bursës së Hong Kongut, ku më 1 shtator u vlerësua rreth 27 miliardë dollarë, ose rreth 23.24 miliardë euro. Shifra duket e madhe, por është rreth 70% më e ulët se vlerësimi rekord prej afro 100 miliardë dollarësh në tregun privat në vitin 2022.
Pse dështoi IPO-ja e Shein?
Ekspertët e shohin rënien e vlerësimit si një sinjal se investitorët po i konsiderojnë gjithnjë e më shumë çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes korporative si rreziqe financiare
Ekspertja e qëndrueshmërisë Ildiko Almasi Simsic thotë se problemet që lidhen me punën e detyruar, kushtet e punës dhe përdorimin e kimikateve të rrezikshme i japin kompanisë një profil të lartë rreziku.
Sipas saj, çështjet e të drejtave të njeriut dhe mjedisit nuk janë më vetëm një çështje etike, por po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në vlerën ekonomike të kompanive.
Zinxhiri i furnizimit, një nga problemet kryesore
Modeli i Shein bazohet në një rrjet shumë të fragmentuar furnitorësh dhe prodhuesish të jashtëm, gjë që i ka lejuar kompanisë të mbajë çmimet jashtëzakonisht të ulëta, por njëkohësisht ka sjellë probleme serioze me kontrollin e zinxhirit të furnizimit.
Në vitin 2022, Greenpeace Gjermani analizoi 47 produkte të Shein dhe gjeti kimikate të rrezikshme mbi kufijtë e lejuar nga BE-ja në shtatë prej tyre.
Një hetim i vitit 2025 dha rezultate edhe më shqetësuese. Greenpeace analizoi 56 veshje të blera në tetë vende dhe zbuloi se 18 prej tyre, ose 32%, tejkalonin kufijtë e BE-së për substancat e rrezikshme, përfshirë edhe veshje për fëmijë.
Në disa produkte u gjetën ftalate dhe substanca PFAS, të njohura si “kimikate të përhershme”, të cilat janë lidhur me një sërë shqetësimesh shëndetësore
Edhe kushtet e punës nën lupë
Shein ka pranuar gjithashtu se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2023 kishte zbuluar dy raste të punës së fëmijëve në zinxhirin e saj të furnizimit.
Kompania deklaroi se kishte forcuar rregullat dhe se shkeljet që lidhen me punën e fëmijëve apo punën e detyruar mund të çojnë në ndërprerjen e menjëhershme të kontratave.
Megjithatë, shqetësimet për kushtet e punës kanë vazhduar. Një hetim i BBC-së në vitin 2025 zbuloi se disa punëtorë punonin rreth 75 orë në javë, në kundërshtim me ligjet kineze të punës. Disa punëtorë deklaruan se kishin vetëm një ditë pushim në muaj dhe punonin deri pas orës 22:00.
Mijëra modele të reja çdo ditë
Një nga arsyet e suksesit të Shein është ritmi i jashtëzakonshëm me të cilin nxjerr produkte të reja.
Sipas një hetimi të Rest of World, mes korrikut dhe dhjetorit 2021, Shein shtonte në aplikacionin e saj nga 2,000 deri në 10,000 produkte të reja çdo ditë.
Kompania prodhon fillimisht sasi shumë të vogla të një veshjeje, ndonjëherë vetëm disa dhjetëra copë. Më pas analizon reagimin e konsumatorëve dhe rrit prodhimin e produkteve që shiten më shumë.
Ky model redukton stokun e tepërt, por kritikohet për nxitjen e konsumit të shpejtë dhe përdorimin e sasive të mëdha të burimeve.
Sipas ekspertëve, është e vështirë të kombinohen çmimet jashtëzakonisht të ulëta me standarde të larta sociale dhe mjedisore.
Franca godet modën ultra të shpejt
Presioni ndaj kompanive si Shein po rritet edhe përmes legjislacionit.
Franca ka miratuar një ligj që synon kompanitë që shesin sasi të mëdha veshjesh me cilësi të ulët dhe çmime shumë të ulëta.
Kompanitë do të vlerësohen sipas sasisë së veshjeve që hedhin në treg dhe kostos së riparimit të tyre në raport me çmimin e blerjes.
Masat parashikojnë tarifa për çdo produkt, duke nisur nga 50 cent për të brendshme, deri në 2 euro për një T-shirt, 9 euro për një palë xhinse dhe 12 euro për një xhaketë. Deri në vitin 2030, tarifa mund të arrijë deri në 19.50 euro për artikull, me kufirin maksimal 50% të çmimit para taksave.
Kina e ka kundërshtuar masën, duke e cilësuar atë “qartësisht diskriminuese” ndaj kompanive aziatike si Shein dhe Temu.
A po i vjen fundi modës ultra të shpejtë?
Jo domosdoshmërisht, por modeli i saj i deritanishëm po përballet me presion të madh.
Rregullat e reja, kontrollet mbi zinxhirët e furnizimit dhe kostot më të larta për materialet e sigurta mund t’i detyrojnë kompanitë të investojnë më shumë në prodhim të kontrolluar dhe gjurmueshmëri
Kjo do të thotë se epoka e veshjeve jashtëzakonisht të lira, të prodhuara dhe të hedhura në treg me ritme marramendëse, mund të jetë duke u ngadalësuar. Shein mund të mbijetojë, por modeli që e ktheu atë në një prej gjigantëve më të mëdhenj të modës në botë po përballet me një realitet të ri, kostot sociale dhe mjedisore po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u transferuar te dikush tjetër.
