Është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare historiani dhe studiuesi i njohur i Çamërisë, Hajredin Isufi, një prej zërave më të palodhur në dokumentimin dhe ruajtjen e historisë, kujtesës dhe trashëgimisë së kësaj krahine.
I lindur më 24 dhjetor 1932 në fshatin Rrëzanj të Çamërisë, Isufi u diplomua në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1962. Ai punoi si arsimtar, ndërsa që prej vitit 1964 iu përkushtua studimit të historisë së Çamërisë, duke bashkëpunuar edhe me Institutin e Historisë në Tiranë.
Gjatë dekadave të punës së tij, Isufi mblodhi mijëra dëshmi, fotografi dhe dokumente nga arkivat familjare dhe institucionet shtetërore, duke ndërtuar një vepër të rëndësishme për historiografinë shqiptare.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, botuar në vitin 2005 si bashkautor, “Çamëria, studime historike-sociologjike shek. XIII-XX” dhe “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902-1940”.
Vetë i mbijetuar i masakrave ndaj popullsisë çame, Isufi solli në veprën e tij edhe dëshmi të drejtpërdrejta të tragjedisë që përjetoi si fëmijë. Përmes studimeve, dokumenteve dhe rrëfimeve, ai ia kushtoi jetën ruajtjes së kujtesës së Çamërisë dhe përcjelljes së historisë së saj ndër breza.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” ka shprehur ngushëllime për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe për gjithë komunitetin çam, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta një humbje të pazëvendësueshme./ad
