Last Updated on 07/09/2026 by EL
Mbi 13 mijë gjoba janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës gjatë javës së fundit, në kuadër të kontrolleve për rritjen e sigurisë në rrugë.
32 persona janë arrestuar për vepra penale që lidhen me qarkullimin rrugor, ndërsa 75 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme.
Kontrollet janë përqendruar veçanërisht tek automjetet që shkaktojnë zhurma, shpejtësia tej normave të lejuara, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Mes rasteve të evidentuara janë edhe dy drejtues mjetesh që tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë, pasi u konstatuan duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit janë ndëshkuar gjithashtu 19 drejtues.
Shkeljet që lidhen me sigurinë rrugore kanë sjellë 4,998 masa administrative, ndërsa 7,868 masa janë vendosur për ndalim, qëndrim apo parkim të parregullt, duke penguar qarkullimin. Në fokus kanë qenë edhe drejtuesit e motomjeteve, me 1,093 masa për mosvendosjen e kaskës.
Policia Rrugore vijon kontrollet në akset kryesore të kryeqytetit, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të respektojnë rregullat, të mos drejtojnë automjetin pas konsumimit të alkoolit dhe të tregojnë kujdes maksimal në rrugë./et
