Një rrëfim i papritur dhe tronditës është bërë në studion e “ABC-së së Mëngjesit”, ku ish-fituesi i “Big Brother Albania”, Qetsor Ferunaj, ka folur për herë të parë publikisht për një traumë të rëndë që, sipas tij, e ka përjetuar që në fëmijëri.
Gjatë bisedës për historinë e familjes dhe fëmijërinë e tij në Dukat të Vlorës, Qetsori deklaroi se abuzimi ndaj tij mund të ketë nisur që në moshën 5-vjeçare. Ai tregoi se pas ngjarjeve të rënda ka pasur edhe kërcënime, të cilat, sipas rrëfimit të tij, synonin ta mbanin të heshtur.
“Abuzimi me mua mund të ketë filluar rreth 5 vjeç, por nuk ka problem, se unë e kam kaluar atë moment”, u shpreh ai.
I pyetur nga gazetari Enkel Demi nëse bëhej fjalë vetëm për abuzim seksual apo edhe për torturë, Qetsori tha se, sipas tij, përvoja përfshinte “gati të dyja”.
Ai rrëfeu gjithashtu se personat që, sipas tij, e kanë abuzuar, ushtronin presion mbi të që të mos fliste.
“Nuk e percepton dot se çfarë do të thotë të jesh i abuzuar në moshën 5 vjeçare. Kishin mekanizëm të sofistikuar, për të mos folur një fëmijë i vogël, të thërrasin edhe motrën.”, deklaroi Qetsori, duke treguar se ishte kërcënuar me jetën e motrës nëse do të tregonte atë që kishte përjetuar.
Gjatë intervistës, ai u pyet edhe për identitetin e personave që pretendon se kanë qenë të përfshirë.
“Jam në pritje të dokumentacionit për t’u qartësuar. Këta emra unë i mbaj mend, i di shumë mirë se ku jetojnë”, tha ai.
Në një tjetër moment, Enkel Demi e pyeti nëse mendonte se abuzimi mund të kishte lidhje me gjyshin e tij, ndërsa Qetsori u shpreh se një fëmijë 5-vjeçar nuk është në gjendje të perceptojë atë që po i ndodh.
Sipas tij, personat që e rrethonin kishin krijuar një mënyrë të sofistikuar për ta frikësuar dhe për ta bërë të heshtte.
Ish-fituesi i “Big Brother Albania” tha se vendimin për ta bërë publike historinë e ka marrë vetëm pasi ka punuar gjatë me veten dhe ka gjetur forcën për t’u përballur me traumën e së kaluarës.
Ai u shpreh se sot, kur fëmijët e tij janë rritur, ndihet më i gatshëm të flasë dhe shpreson që rrëfimi i tij t’u japë kurajë edhe personave të tjerë që kanë përjetuar abuzim të mos heshtin dhe të kërkojnë ndihmë./mxh
