Ben Affleck dhe vëllai i tij, Casey Affleck, janë shfaqur sërish bashkë në publik, gati një dekadë pas paraqitjes së tyre të fundit të përbashkët në tapetin e kuq.
Dy vëllezërit u fotografuan të martën, më 8 shtator, në Hotel Excelsior Venice Lido Resort, në kuadër të Festivalit të 83-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Ben, 54 vjeç, kishte udhëtuar drejt Venecias për të mbështetur vëllain e tij më të vogël, Casey, 51 vjeç, i cili prezantoi filmin e tij të ri, Company.
Ribashkimi i tyre vjen rreth 10 vjet pas herës së fundit kur u fotografuan së bashku, në premierën e Manchester by the Sea në Los Angeles, në nëntor 2016.
Por këtë herë, prania e Benit në Venecia kishte një domethënie veçanërisht emocionale për familjen Affleck. Gjatë një konference për shtyp, Casey zbuloi se ia ka kushtuar filmin prindërve të tij, pasi këtë vit ka humbur të dy.
“Është i dedikuar prindërve të mi, sepse këtë vit humba edhe mamanë, edhe babanë. Ata ishin shumë të rëndësishëm për mua”, u shpreh aktori dhe regjisori.
Nëna e vëllezërve, Christopher “Chris” Anne Boldt, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare më 2 qershor. Ndërsa Casey konfirmoi publikisht për herë të parë se edhe babai i tyre, Timothy “Tim” Byers Affleck, ka ndërruar jetë në fillim të këtij viti.
“Doja shumë t’ua tregoja këtë film, por nuk pata mundësi. Mendoj se do t’u kishte pëlqyer”, tha Casey.
Company shënon filmin e tretë artistik që Casey Affleck drejton. Drama gotike, e cila konkurron në Festivalin e Venecias, sjell në kast emra të njohur si Nick Nolte, Ben Mendelsohn, Adelaide Clemens, Scoot McNairy dhe Emily Alyn Lind.
Në film shfaqen gjithashtu dy djemtë e Casey-t, Indiana, 22 vjeç, dhe Atticus, 18 vjeç. Për regjisorialin e parë me fëmijët e tij, aktori është shprehur se ishte “përvoja më e mirë profesionale e jetës së tij, pa diskutim”.
Vëllezërit Affleck u rritën në Cambridge, Massachusetts, nga Timothy dhe Chris. Të dy ndoqën më vonë rrugët e tyre në Hollywood, por karrierat e tyre janë ndërthurur në disa raste.
Ben Affleck u bë i famshëm me Good Will Hunting, të cilin e shkroi së bashku me mikun e tij të ngushtë Matt Damon dhe ku luajti edhe Casey. Filmi u shpërblye me Oscar për skenarin më të mirë origjinal në vitin 1998.
Casey, ndërkohë, ndërtoi një karrierë të suksesshme më vete dhe fitoi Oscar-in për aktorin më të mirë në vitin 2017 për rolin në Manchester by the Sea.
Tashmë, me Company, ai rikthehet pas kamerës dhe në ekran, ndërsa prania e Benit në Venecia e bëri premierën edhe më të veçantë për familjen.
Filmi u shfaq premierë më 8 shtator në Festivalin e 83-të të Filmit në Venecia, ndërsa ende nuk është bërë e ditur data e publikimit të tij në kinema./mxh
