Dy marinarë azerbajxhanas janë vrarë pasi një rimorkiator u godit nga dronë në Detin e Zi, pranë portit ukrainas të Odesës. Ngjarja është një tjetër incident që përfshin anije civile në ujërat pranë Ukrainës.
Rimorkiatori TEDY, me flamur somalez dhe në pronësi të kompanisë Mert Marine Corporation, u godit fillimisht pranë Odesës dhe më pas u sulmua edhe dy herë të tjera gjatë natës, teksa po lundronte drejt portit rumun të Konstancës.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit konfirmoi vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit, Aslan Aliyev dhe Asim Gasimov. Dy marinarë të tjerë azerbajxhanas, Imran Novruzov dhe Rauf Aliyev, u dërguan në spitalin e Chornomorsk me plagë nga djegiet, ndërsa gjashtë pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.
Në bordin e TEDY ndodheshin gjithsej 10 anëtarë ekuipazhi, me shtetësi azerbajxhanase, turke, gjermane dhe ukrainase.
Baku tha se po koordinon me misionet diplomatike dhe autoritetet përkatëse për kthimin në atdhe të të plagosurve dhe procedurat që lidhen me viktimat. Ministria e Jashtme azerbajxhanase nuk përcaktoi përgjegjësinë për sulmin.
Ndërkohë, Ministria ukrainase për Restaurimin, Infrastrukturën dhe Transportin ia atribuoi sulmin Rusisë, duke e cilësuar si pjesë të një fushate të vazhdueshme kundër anijeve civile dhe infrastrukturës portuale. Moska, nga ana tjetër, deklaroi se kishte goditur dy anije mallrash që po shkonin drejt Odesës dhe një rimorkiator, duke pretenduar se ato transportonin furnizime ushtarake. Kievi nuk ka komentuar këtë pretendim.
Chornomorsk është një nga portet kryesore tregtare të Ukrainës në Detin e Zi dhe një prej terminaleve të rëndësishme për eksportet e grurit ukrainas. Pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Rusia dhe Ukraina negociuan marrëveshjen për eksportet e drithërave përmes Detit të Zi, nën mbikëqyrjen e OKB-së dhe Turqisë. Rusia u tërhoq nga marrëveshja në korrik 2023.
Që prej atëherë, portet ukrainase dhe infrastruktura përreth tyre janë goditur në mënyrë të përsëritur. Sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi janë shtuar veçanërisht që nga korriku, duke rritur shqetësimet për sigurinë e ekuipazheve civile.
Sulmi ndaj TEDY është gjithashtu incidenti më i fundit që përfshin marinarë azerbajxhanas. Pesë shtetas të Azerbajxhanit u vranë në qershor në sulme ndaj dy anijeve në Detin Azov./k.m
