Pamjet nga Playa del Trampolín, një prej plazheve të njohura të Ceutës, tregojnë një realitet krejt tjetër pas mbërritjes masive të emigrantëve në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut. Tenda të improvizuara prej plastike e pëlhure janë ngritur përgjatë bregut, ndërsa pranë tyre ndodhen valixhe, dyshekë dhe mbetje. Sipas raportimeve nga terreni, burra flenë në plazh ose lahen në det, ndërsa fëmijë u kërkojnë para kalimtarëve. Për shkak të mbipopullimit, disa hapësira janë kthyer edhe në tualete të improvizuara.
Situata është përkeqësuar pas mbërritjes masive të rreth 80 mijë emigrantëve në Ceuta brenda dy ditëve, rreth pesë javë më parë. Pavarësisht deklaratave të autoriteteve spanjolle se të sapoardhurit do të largoheshin nga enklava, mijëra prej tyre vijojnë të qëndrojnë atje. Shifrat për numrin e personave që kanë mbetur në Ceuta ndryshojnë. Sindikata spanjolle e policisë CEP e vlerëson numrin në rreth 10 mijë, mes tyre 1,400 deri në 1,600 të mitur, ndërsa Konfederata e Punëdhënësve të Ceutës e çon shifrën në rreth 15 mijë persona. Sipas vlerësimeve të kësaj të fundit, vetëm rreth 20% e tyre janë strehuar në struktura të organizuara. Pjesa tjetër qëndron në plazhe, rrugë dhe kampe të improvizuara në territorin e vogël të Ceutës, e cila normalisht ka rreth 85 mijë banorë.
Rritet presioni mbi autoritetet
Mbërritja e një numri kaq të madh njerëzish ka vënë nën presion infrastrukturën lokale dhe strukturat e sigurisë. Sipas kreut të sindikatës së policisë CEP në Madrid, Sebastian Sutzl, krimi në Ceuta është rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën përpara mbërritjes masive. Shqetësim të veçantë paraqesin edhe raportimet për sulme seksuale. Sipas kryeprokurores Silvia Rojas, gjatë gushtit janë regjistruar 23 sulme seksuale, nëntë prej të cilave kanë përfshirë fëmijë.
Mes të dyshuarve, sipas raportimeve, ka shtetas marokenë, spanjollë dhe një shtetas belg. Një nga personat që ka folur për situatën është 18-vjeçarja Hasnaa Ramsi, nga Kazablanka. Ajo ka raportuar një incident tek autoritetet, por nuk ka dashur të japë detaje. Hasnaa ka mbërritur në Ceuta pasi ka notuar për rreth gjysmë ore në ujërat që ndajnë Marokun nga enklava spanjolle. Ajo thotë se dëshiron të transferohet në Zaragoza dhe të vijojë studimet për kontabilitet.
Të tjerë emigrantë tregojnë histori të ngjashme. Fares Haroun, 21 vjeç, student i shkencave kompjuterike nga Sudani, ka notuar drejt Ceutës më 31 korrik pasi një mik i kishte thënë se “kufijtë janë të hapur”. Ndërsa 23-vjeçari Rayame Boutalia, nga Algjeria, thotë se është boksier dhe synon të shkojë në Spanjën kontinentale për të vazhduar stërvitjen. “Të gjithë janë këtu sepse duan një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre”, ka deklaruar ai. Edhe 21-vjeçari Mohammed Achaoui, nga Tangjeri, thotë se u largua nga Maroku për arsye ekonomike. Ai pretendon se nuk kishte punë dhe se jetonte në rrugë.
Megjithatë, realiteti që gjeti në Ceuta, sipas tij, është shumë larg pritshmërive. “Erdha për një jetë më të mirë, por po filloj të humbas shpresën”, është shprehur ai, duke pretenduar se është sulmuar dhe grabitur. Playa del Trampolín është kthyer në një nga simbolet e krizës. Në breg janë ngritur dhjetëra struktura të improvizuara, ndërsa emigrantët flenë në dyshekë dhe përdorin hapësirat publike për nevojat bazë. Disa peshkojnë në shkëmbinj, të tjerë lahen në det, ndërsa në një pjesë të zonës janë krijuar edhe hapësira të improvizuara për lutje.
Ndërkohë, autoritetet kanë shtuar praninë e forcave të sigurisë. Rreth 500 efektivë të Guardia Civil janë dërguar për përforcim, duke e çuar në rreth 1,100 numrin e personelit policor dhe ushtarak në enklavë. Kriza ka shkaktuar edhe reagime të forta politike. Banorë të Ceutës kanë shprehur shqetësim për sigurinë dhe kushtet në të cilat po jetojnë, ndërsa autoritetet lokale përballen me presion të madh për menaxhimin e situatës. Çështja është kthyer në një problem të rëndësishëm për qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez. Opozita ka akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e krizës, ndërsa Sánchez ka mohuar se ka prova që Maroku të ketë organizuar kalimin masiv të emigrantëve. Sipas tij, asnjë agjenci spanjolle apo evropiane dhe asnjë organizatë ndërkombëtare nuk i ka paraqitur qeverisë prova të forta për një plan të tillë.
Pesë javë pas mbërritjes masive, Ceuta vijon të përballet me një situatë të rënduar, me mijëra emigrantë që jetojnë në kushte të improvizuara, struktura të mbingarkuara dhe një prani të shtuar të forcave të sigurisë. Ndërsa përtej shifrave të krizës qëndrojnë njerëz që kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme me shpresën për të nisur një jetë të re në Evropë./k.m
