Aktorja e njohur amerikane, Sydney Sweeney, duket se është “në kërkim” të kritikave, teksa kësaj here është bërë “tabelë qitjeje” për vajzat e sportit.
E gjitha vjen pas reklamës më të fundit të bërë nga aktorja për kompaninë amerikane të parashikimeve sportive, Novig, ku ajo është shfaqur plotësisht e zhveshur.
Ajo është kritikuar për seksualizimin e sportit të grave. Notarja olimpike në pension, Ariarne Titmus, është shprehur se ky lloj marketingu është gjë e së kaluarës.
“Nuk mund të përshkruaj sa e tërbuar ndihem kur e shoh këtë. Jo vetëm që është një shuplakë në fytyrë për çdo grua që ia ka kushtuar jetën e saj përsosjes së zanatit të saj, por për çdo grua që e shijon sportin për atë që është në të vërtetë: punë ekipi, miqësi, përkushtim, shkëlqim, unitet.
Si mund të jetojmë në një botë ku monetizimi i trupit të një gruaje dhe seksualizimi i sportit të grave është ende diçka e zakonshme”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.
Gjimnastja amerikane, Gracie Kramer, publikoi një video në rrjete sociale, e përqendruar rreth idesë “ja si duket një grua në sport”, gjë që u bë shpejt një trend për gratë e përfshira në aktivitete sportive.
Reagim ka pasur dhe nga fituesja e medaljes së argjendtë në vaterpolo, Tilly Kearns, e cila cilësoi se ky publicitet i Sweeney është një “tallje” për gratë në botën e sportit dhe se gjykon mënyrën se si duken ato.
“Ka një ndryshim të madh midis të dukurit seksi vetëm sepse merresh me sport, krahasuar me përdorimin e seksit për të shitur sport. Nuk ka asgjë të keqe të dukesh bukur dhe të bësh sport dhe nuk ka asgjë të keqe të përqafosh feminitetin tënd ndërkohë që je edhe një atlete e fortë”, ka shkruar Kearns në një postim në story në Instagram.
Ndërkohë, disa kanë ndarë mendimin se zemërimi ndaj Sweeney është i tepërt, e se kritikat duhen vërshuar ndaj kompanisë Novig.
E gjithë kjo situatë është e ngjashme me reklamimin e xhinseve të “American Eagle”. Asokohe aktorja u akuzua për racizëm, pasi Sweeney luajti me kuptimet e fjalës “xhins”, që në anglishten e folur tingëllon identike me fjalën “gjen” dhe dallojnë vetëm nga mënyra e të shkruarit.
“Gjenet kalohen nga prindërit te pasardhësit, shpesh duke përcaktuar tipare si ngjyra e flokëve, personaliteti dhe madje edhe ngjyra e syve”, thuhej në mesazhin e reklamës, që vijoi duke luajtur me ngjashmërinë në anglisht mes fjalëve xhins me gjen, “Xhinset e mia janë blu. Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera”.
Pikërisht dy kuptimet e frazës së fundit bënë që drejt reklamës dhe aktores të hidheshin akuza për përcjellje mesazhesh naziste, që i bënin elozhe racës së bardhë dhe diskriminonin tiparet e njerëzve me ngjyrë. Në postime të ndryshme doli në pah edhe fakti që ajo është votuese e Donald Trump-it, duke i dhënë reklamës edhe ngjyrime politike./MXH
