Finlanda i është bashkuar nismës së Francës për të zgjeruar mbulimin e parandalimit të saj bërthamor përmes bashkëpunimit me vendet partnere evropiane, njoftuan sot krerët e të dyja vendeve, sipas Reuters.
Nisma vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur shqetësime për angazhimin e SHBA-së ndaj sigurisë së Evropës, ndërsa lufta në Ukrainë ka shtuar pasiguritë lidhur me mbrojtjen e kontinentit.
Në mars, Franca njoftoi krijimin e Nismës për Parandalimin Bërthamor të Avancuar, me synimin për të forcuar sigurinë evropiane.
“Nisma ka të bëjë para së gjithash me forcimin e sigurisë evropiane. Ajo rrit përgjegjësinë e Evropës për mbrojtjen e saj dhe ndihmon në parandalimin e përshkallëzimit“, deklaroi presidenti finlandez Alexander Stubb në një postim në rrjetin X.
Sipas marrëveshjes, vetëm presidenti francez ka autoritetin të vendosë për përdorimin e armëve bërthamore.
Kjo ndryshon nga praktika e NATO-s, e cila ka një Grup të Përbashkët të Planifikimit Bërthamor, ku vendimet diskutohen në kuadër të aleancës.
Megjithatë, nisma parashikon stërvitje të përbashkëta, mundësinë e dislokimit afatshkurtër të kapaciteteve që mund të përdoren për armë bërthamore në territorin e vendeve aleate, si dhe konsultime më të thelluara mes partnerëve.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, deklaroi në një njoftim të veçantë se marrëveshja ishte një “hap i natyrshëm“, pas bashkimit të vendeve të tjera nordike, si Norvegjia, Suedia dhe Danimarka, në fillim të këtij viti.
Në total, në nismë marrin pjesë 10 vende evropiane, përfshirë Finlandën./MXH
