Ushtria polake ka nxjerrë nga Deti Baltik një dron luftarak, i cili u gjet pranë bregdetit të vendit, njoftuan sot autoritetet.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, deklaroi në rrjetin social X se vlerësimet fillestare sugjerojnë se bëhet fjalë për një dron ushtarak me origjinë ruse.
Droni u gjet pranë resortit bregdetar Rusinowo, në veriperëndim të Polonisë.
Një zëdhënës i Komandës së Lartë të Ushtrisë Polake i tha televizionit TVN24 se pajisja ka shumë gjasa të jetë e tipit “Gerbera”.
Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore polake nuk ka regjistruar shkelje të hapësirës ajrore që prej 30 korrikut.
Për këtë arsye, ekziston mundësia që droni të jetë nxjerrë në breg nga dallgët, pasi kishte përfunduar në ujërat ndërkombëtare.
Specialistët po hetojnë nëse droni përmban eksplozivë. Rusia përdor shpesh dronë pa armatim si mjete mashtruese gjatë sulmeve ajrore kundër Ukrainës, me qëllim shpërqendrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është një aleate e rëndësishme politike dhe ushtarake e Ukrainës. Vendi e konsideron Rusinë një kërcënim për sigurinë e tij.
Ngjarja vjen një ditë pas një sulmi me dron rus ndaj një treni që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës, pak para se të kalonte kufirin polak./mxh
