Kelly Osbourne ka folur hapur për periudhën e vështirë pas humbjes së babait të saj, Ozzy Osbourne, duke treguar se dhimbja e humbjes e bëri të rikthehej te alkooli, pas më shumë se katër vitesh pa konsumuar alkool.
Në podcast-in “We Need To Talk“, 41-vjeçarja tha se pas vdekjes së të atit nuk ishte në gjendje të kujdesej për veten.
“Isha vetëm një hije e vetvetes. Nuk mund të flisja, nuk mund të haja, nuk mund të bëja asgjë. Isha bosh dhe e shkatërruar. Nisa sërish të pija. Humba kontrollin. Nuk mund ta përballoja”, rrëfeu ajo.
Megjithatë, Osbourne pohoi se tashmë ka arritur të rikthehet në rrugën e duhur dhe se prej tetë muajsh nuk konsumon alkool.
“Kam njerëzit më të mrekullueshëm rreth meje. Humba shumë miq, sepse njerëzit prisnin që ta kisha kaluar tashmë. Por unë nuk do ta kaloj kurrë. Kurrë”, u shpreh ajo.
Aktorja dhe këngëtarja ka treguar më herët se dhimbja ndikoi edhe në ushqyerjen e saj, duke bërë që të humbiste shumë peshë.
“Nuk mund ta shihja atë që shihnin të tjerët, sepse po përjetoja kaq shumë dhimbje. Kur dhimbja është kaq e madhe, ndjesia e urisë nuk arrin as të shfaqet”, tha ajo.
Kelly Osbourne është e njohur gjerësisht si vajza e legjendës së rock-ut Ozzy Osbourne. Ajo u bë e famshme edhe përmes reality show-t familjar “The Osbournes”, ndërsa përgjatë viteve ka ndërtuar karrierën e saj në muzikë, televizion dhe modë./mxh
