Dakota Johnson ka folur me një sinqeritet të rrallë për një nga dëshirat e saj më të mëdha, të bëhet nënë. Aktorja 36-vjeçare ka pranuar se nuk e kishte imagjinuar veten në këtë moshë pa krijuar ende familjen e saj, por pavarësisht kësaj, nuk e ka humbur shpresën.
Në një intervistë për Vogue, Johnson u shpreh se dëshira për të pasur fëmijë është shumë e fortë.
“Nuk e prisja që në këtë moshë dhe në këtë pikë të jetës sime të isha këtu ku jam, por për disa arsye ky është plani i universit. Do ta doja shumë. Shpresoj që të më ndodhë edhe mua”, tha ajo.
Aktorja tregoi se kjo dëshirë është bërë veçanërisht e fortë gjatë viteve të fundit, madje e përshkroi ndjesinë sikur një shpirt po pret të vijë në jetë.
“Gjithmonë kam ndier, sidomos gjatë viteve të fundit, se ekziston një shpirt që dëshiron të vijë në këtë botë. Dhe shpresoj të jem mjaftueshëm me fat që ta përjetoj edhe unë këtë”, rrëfeu Johnson.
Ndjenjat e saj u bënë edhe më të forta gjatë xhirimeve të filmit të ardhshëm “The Three Incestuous Sisters”. Aktorja tregoi se bashkëprotagonistet Saoirse Ronan dhe Jessie Buckley, si edhe bashkëproducentja Ro Donnelly, kishin me vete fëmijët e tyre të vegjël.
“Është e vështirë të jem me shoqet e mia më të ngushta, por edhe në xhirime, dhe të gjithë të kenë foshnjat e tyre e të krijojnë familje. Gjërat kanë shkuar ndryshe nga sa i kisha imagjinuar. Por është në rregull. Ende shpresoj që të më ndodhë edhe mua”, tha ajo.
Sa i përket jetës sentimentale, Dakota Johnson vazhdon të tregohet shumë e rezervuar. Kur u pyet për jetën e saj private, ajo zgjodhi të mos komentojë.
“Nuk dua të them asgjë për këtë”, u përgjigj aktorja.
Johnson ka qenë për vite në një lidhje me këngëtarin Chris Martin, me të cilin u nda në vitin 2025. Gjatë lidhjes, ajo u afrua shumë edhe me fëmijët e tij, Apple dhe Moses, ndaj ndarja thuhet se ishte veçanërisht e vështirë për të.
Ndërkohë, raportimet e fundit e lidhin aktoren me reperin Machine Gun Kelly, por Johnson nuk ka bërë një deklaratë publike për këtë./mxh
